Më parë mbulonte vetëm qytetin e Korçës dhe një pjesë të vogël të fushës, ndërsa prej më shumë se dy javësh, TV Korça pjesë e paketës dixhitale të RTSH mbulon me sinjal tërë qarkun e Korçës. E këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mbulueshmëri, por investimi i Radio Televizionit Shqiptar për kalimin e Tv Korça në paketën dixhitale ka sjellë edhe cilësi më të lartë të figurës e zërit: “ Besoj se Korça ka nevojë për këtë, me e mira që mund të bëhet. Kjo do jetë një mundësi më e mirë edhe sa i përket programacionit. Ishte i nevojshëm ky ndryshim i cilësisë. Fatmirësisht tani po shohim edhe TV Korçën edhe këtu. Kishte disa vite që mungonte sinjali i TV KORÇËS në qytetin e Ersekës, ky sinjal prej disa ditësh nuk mungon më. Ky është një lajm shumë i mirë për qytetin e Ersekës pasi nëqoftëse marrim vetëm njërin aspekt të kësaj gjëje do të kuptojmë se tanimë çdo problem që do të ketë Kolonja por dhe çdo gëzim sigurisht do të pasqyrohet në televizionin e TV KORÇËS”.
Sinjali dixhital transmetohet prej dy javësh nga stacionet e Cardhakut, Pepellashit, Cervenakes e Tushemisht, ndërsa drejt fundit është dhe proçesi i dixhitalizimit në stacionin e Leskovikut. Por, përveç ekranit të televizionit, të interesuarit për të ditur se çfarë ndodh në këtë trevë, TV Korçën, mund ta kenë edhe në smartfonin e tyre, duke e shkarkuar përmes aplikacionit RTSH TANI, në play store ose app store.
Tv Korça ka filluar transmetimet e pjesshme që nga viti 1994, ndërsa në vitin 2000 ka marrë statusin e tv lokal. Gjatë transmetimit prej 14 orësh, ofron një gamë të larmishme të programacionit si dhe informacionit duke u qëndruar afër problematikave të qytetarëve.