Të hënën, datë 20 shkurt 2017, në Departamantin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës u prezantua studimi “Televizioni pa televizor”.
Ky studim-raport, është realizuar nga pedagogët dhe studentët e departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit me mbështetjen e Autoritetit të Mediave Audiovizive.
Kryetari i Autoritetit Z. Gentian Sala e vlerësoi bashkëpunimin me Departamentin. Autoriteti i Mediave Audiovizive, siguroi Z. Sala, ka dhënë dhe do të japë garancinë maksimale për operatorin publik me qëllim që ky i fundit të zhvillojë platformën e tij televizive. Autoriteti i ka dhënë mundësinë maksimale të gjithë operatorëve rajonalë dhe lokalë që askush të mos mbetet jashtë tregut mediatik dhe kjo kundër një tarife shumë të drejtë. Të gjithë këtyre operatorëve u është dhënë mundësia që të zgjedhin midis disa dyerve, kjo dukë marrë parasysh edhe numrin e frekuencave në dispozicion. Z. Sala siguroi se hapësira mediatike shqiptare nuk është e kërcënuar nga monopolizimi.
Në fjalën e tij Z. Mark Marku, Përgjegjës i Departamentit Gazetari dhe Komunikimit, falenderoi Autoritetin e Mediave Audiovizive për besimin dhe përkushtimin që ka treguar për bashkëpunimet me Departamentin. Ai, po ashtu, falenderoi Z. Sala për mbështetjen që ka treguar në mënyrë të vazhdueshme, të hapur dhe profesionale, dhe interesin për të mbështetur, e promovuar rezultatet shkencore të kërkimit në fushën e medias.
Për Akademik Prof. Dr. Artan Fugën, modeli i televizionit linear është një model i tejkaluar dhe së shpejti vendi ynë do të përballet me përmbajtje televizive që përcaktohen nga teknologjia televizive.
Kontribut shumë të vlefshëm për këtë studim kanë dhënë me dhjetra gazetarë, administratorë të mediave televizive, menaxherë të operatorëve kabllorë, punonjës dhe sipërmarrës të dhënies së aksesit në Internet, të telefonisë Mobile etj.
Ky studim është me rëndësi të veçantë për: autoritetet që kanë përgjegjësi në zhvillimin dhe modernizimin e vazhdueshëm të peizazhit televiziv kombëtar, duke përfshirë atë publik dhe ato komerciale. Për operatorët televizivë, që ofrojnë shërbime për akses në internet, për sinjal televizioni ose lidhje telefonike nëpërmjet rrjeteve kabllorë si edhe për kompanitë e telekomunikacionit. Po ashtu, ky botim, ka rëndësi edhe për mësimdhënien universitare dhe kërkimet shkencore në fushën e shkencave të informimit dhe komunikimit masiv.
Drejtues shkencorë, formatues të metodologjive kërkimore të studimit koordinues dhe përpilues të tekstit të plotë dhe përfundimtar janë: Akademik Prof. Dr. Artan Fuga dhe Prof. as. Dr. Mark Marku. Gjatë prezantimit pedagogët e departamentit prezantuan shkurtimisht punimet e mbuluara nga secili.
Ky studim i finalizuar me botim nuk është i pari që del si produkt i Departamentit dhe AMA-s. Ai vjen pas botimit që pasoi konferencën shkencore ndërkombëtare zhvilluar në Nentor 2015,: “Digjitalizmi: Sfida, paradokse, shpresa”.
Autoriteti i Mediave Audiovizive
Tiranë, 21 shkurt 2017