“ARD”, televizioni i parë shtetëror në Gjermani, ka shtrembëruar përgjigjen e qeverisë së Angela Merkelit ndaj një interpelance parlamentare duke akuzuar padrejtësisht Turqinë, gjë kjo që ka shkaktuar reagime të fuqishme.
Në përgjigje të interpelancës së Partisë së Majtë në opozitë, Ministria gjermane e Punëve të Brendshme hodhi pretendimin se Turqia “mbështet Vëllezërit Myslimanë në Egjipt, Hamasin dhe grupet opozitare të armatosura në Siri”; sidomos nga viti 2011 e këtej, “Turqia është kthyer në qendër të grupeve islamike në rajonin e Lindjes së Mesme”.
Në tekstin e hartuar nga qeveria gjermane, të cilit i referohet artikulli i ARD-së, grupet në fjalë jo vetëm që nuk cilësohen si “organizata terroriste”, por nuk ka as ndonjë pretendim apo akuzë ndaj Turqisë.
Megjithatë bie në sy se televizioni publik gjerman, në lajmin e tij të “minutës së fundit”, pretendon që “Berlini zyrtar mendon se ‘organizatat terroriste’ mbështeten nga Turqia”.
Duke theksuar se “Hamasi renditet në listën e zezë të Bashkimit Evropian për organizatat terroriste”, ARD-ja përpiqet të krijojë bazë për këtë lajm të trilluar.
Pak javë më parë, ekzekutivi gjerman refuzoi përballë gazetarëve këmbëngulës pretendimet se “Turqia mbështet DAESH-in” dhe vuri në pah se “qeveria nuk zotëron informacione, që mund të provojnë apo mbështesin këto pretendime”; por as ky realitet nuk zuri vend në lajmin e televizionit në fjalë.
Sakaq, mjaft kritika tërhoqi edhe fakti që në lajmin e ARD-së u përcollën opinionet e deputetes gjermane me origjinë turke të Partisë së Majtë, Sevim Dagdelen, e cila kohëve të fundit njihet për propagandën e saj kundër Turqisë dhe deklaratat në mbrojtje të organizatës terroriste PKK.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Gjermanisë, dr. Johannes Dimroth, njoftoi përmes një komunikate me shkrim se artikulli në fjalë i ARD-së i referohet vetëm disa pjesëve të përgjigjes, që i është dhënë interpelancës së kërkuar nga Partia e Majtë.
Pasi nënvizoi se përmbajtjen e kësaj përgjigjeje nuk mund ta ndajë me opinionin publik, sepse ajo është pjesë e një dokumenti konfidencial, zëdhënësi Dimroth siguroi se tekstit i është dhënë trajta përfundimtare pa u këshilluar me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë për shkak të një gabimi, që është bërë në departamentin përkatës të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Marre nga TRT Shqip