Televizionet nuk pranojnë të paguajnë tarifat për të drejtën e autorit të vendosur nga Ministria e Kulturës dhe çështja ka përfunduar në Gjykatën Administrative të Apelit. Dje krijuesit u bënë bashkë me Ministrinë e Kulturës për të drejtën e autorit në gjykatë. Krijuesit dhe artistët i bëjnë apel televizioneve, që sipas tyre duhet ti kthehen ligjshmërisë.
Etrita Ibrahimi si bijë kompozitori, artiste dhe anëtare e këshillit drejtues të agjencisë “Albautor” pohon se nuk do të lejojnë më që televizionet të vjedhin krijimtarinë. “Nuk do të lejojmë më që mediat audio-vizive të vjedhin punën tonë, siç kanë bërë në këto 27 vite. Paturpësisht, këto media u janë drejtuar organeve të drejtësisë duke hedhur ne gjyq vetë shtetin. Për rrjedhojë, këto organe do të jenë të detyruara të zbatojnë ligjin, të cilin pas një përpjekjeje shumëvjeçare nga ana jonë, organizmat shtetërorë e kanë studiuar dhe miratuar, si për mbrojtjen e të drejtave të autorit, ashtu edhe për sistemin tarifor, edhe pse nga më të ultët në rajon”, shprehet pianistja Etrita Ibrahimi.
Më tej ajo shton se duhet hequr dorë nga vjedhja e pronësisë intelektuale. “Pronarët e këtyre mediave, përpara të gjithave, duhet të kërkojnë ndjesë për sa kanë bërë deri më sot, duke shfrytëzuar dhe transformuar pa kriter të gjithë krijimtarinë shqiptare dhe të fillojnë procedurat e zbatimit të menjëhershëm të këtij ligji, duke hequr dorë nga vjedhja shumëvjeçare e pronësisë intelektuale” përfundon në reagimin e saj Etrita Ibrahimi. Kompozitorja Eriona Rushiti anëtare e këshillit drejtues të “Albautor”, e cila dje ishte në protestë në gjykatë thekson se duhet patjetër të zbatohet ligji. “Ne si “Albautor” bashkë me krijuesit ku dje u bashkua dhe Agjencia për të Drejtat e Producentëve mbështesim Ministrinë e Kulturës në gjykatë, dhe ishim përballë përfaqësuesve të televizioneve. Ne duam të zbatohet ligji, por televizionet duan të hedhin poshtë këtë sistem tarifor, sepse pohojnë se është shumë e madhe për të paguar, por në fakt është më e ulta në rajon, por dhe në Europë.
Çdo subjekt që përdor muzikë apo çdo lloj tjetër krijimtarie është i detyruar të zbatojë tarifat që janë vënë nga Ministria e Kulturës. Problemi është sepse televizionet shfrytëzojnë muzikën dhe nuk paguajnë të drejtën. Ne kemi shkuar më parë në dyert e televizioneve dhe nuk kanë paguar. Ligji përfshin jo vetëm media, por dhe biznese, etj, çdokush që përdor krijimtari” thekson kompozitorja Rushiti. Autorët pohojnë se janë për të drejtën dhe shpresojnë ta vendosë gjykata. Kompozitori Nestor Kraja shprehet se në një kohë kur televizionet lokale paguajnë kjo nuk ndodh te ata të mëdha. “Isha te protesta në gjykatë, ne mbështesim ministrinë dhe kërkojmë zbatimin e tarifave.
Nga televizionet të zbatohet ligji për të drejtën e autorit. Ka vite që televizionet lokalë dhe radiot lokale paguajnë dhe televizionet e mëdha nuk paguajnë. Ata që duhet të paguajnë nuk e bëjnë, sepse deri tani e kanë shtyrë me forcën e parasë dhe jo arsyes, ndërkaq që e drejta autorit ka filluar të funksionojë dhe organizohet. Sivjet nga “Albautor” janë shpërndarë të ardhura për autorët, por ky proces duhet të shkojë deri në fund”, thekson kompozitori. Pas seancë së djeshme ku nuk u mor asnjë vendim, seanca e radhës për të drejtën e autorit është lënë nga gjykata më datë 22 dhjetor.
“Albautor”: Televizionet, në një front paligjshmërie
“Albautor” përmes një deklarate të fundit shkruan se nuk mund të vidhet më e drejta e autorit. Asambleja e “Albautor” organizata e artistëve dhe krijuesve bën me dije se mbështet vendimet e Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit pranë Ministrisë së Kulturës për miratimin e sistemit tarifor për pagesën e të drejtës së autorit, si një hap thelbësor për funksionimin e të drejtës së autorit në Shqipëri. ““Albautor” proteston ndaj tendencave të mediave audiovizive kombëtare (Top Channel, Klan, Digitalb, Vizion Plus, Tring, etj), të cilat janë bashkuar në një front të paligjshmërisë për të anulluar në Gjykatën Administrative të Apelit këtë Sistem Tarifor (megjtihëse më i ulëti në vendet e rajonit), si dhe për të vazhduar edhe në vitet e ardhshme në rrugën e abuzimit me të drejtat e autorit”, thuhet në deklaratë.
Më tej “Albautor” vijon se do të luftojnë deri në fund për të mbrojtur të drejtën e autorit. “Njoftojmë opinionin publik kombëtar dhe ndërkombëtar, si shtresa e gjerë e krijuesve shqiptarë do të luftojë deri në fund për mbrojtjen e të drejtës së autorit në Shqipëri, si mbrojtje e vlerave kombëtare, kundër çdo abuzuesi të pushtetshëm ose jo, si dhe ndaj çdo bashkëpunëtori servil të tyre”, përfundon deklarata e agjencisë “Albautor”.
Nga Julia Vrapi
/Agjensia e Lajmeve Sot News/