Shefja e Infektivit, Najada Çomo ka kallëzuar në polici një rast shqetësimi, pasi prej disa ditësh merrte telefonata shqetësuese.
Çështja po trajtohet nga komisariati nr 4, i cili ka referuar materialet në prokurori për një 32-vjeçare nga Berati, e cila që prej datës 28 janar ka shqetësuar mjeken me telefonata të shumta për motive të dobëta.
Mësohet se Çomo kishte trajtuar rastin e një familjari të 32-vjeçares, ndërsa gjatë kohës që pacienti ishte në spital, mjekja informonte të renë. Vajza kishte vijuar me telefonatat ndaj Çomos, ndërkohë që e telefononte rreth 20 herë në ditë.
Duke parë se vajza nga Berati nuk hiqte dorë nga telefonatat dhe vijonte të shqetësonte mjeken, kjo e fundit kishte referuar rastin në polici.
Prej kohësh Çomo drejton stafin e spitalit COVID1, ku trajtohen të sëmurët me koronavirus.
Thirrjet telefonike keqdashëse që bëhen me qëllim për të prishur qetësinë e tjetrit, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
NJOFTIMI I POLICISE:
Më datë 15.02.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasen M. Ç., (S), 32 vjeçe, banuese në Berat, sepse prej datës 28.01.2021 dhe në vazhdim, ka shqetësuar me telefonata të shumta, shtetasen N. Ç.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.