Netflix i “acaron” jo pak herë njerëzit me publikime të reja. Të pëlqyera ose jo, shumë nga prodhimet e tij shkaktojnë gjithmonë reagime.
Këto janë disa prej filmave dhe serialeve më të diskutuar të platformës:
13 Reasons Why
Drama me adoleshentë është kritikuar gjerësisht për mënyrën e përshkrimit të vetëvrasjes së adoleshentes. Prodhuar nga aktorja-këngëtarja Selena Gomez, seriali përqendrohet në një nxënëse 17-vjeçare të shkollës së mesme që vret veten, duke lënë pas 13 kaseta për 13 njerëz të ndryshëm që ajo mendonte se ishin thelbësorë në vendimin e saj për të marrë jetën.
Organizatat e shëndetit mendor kanë thënë se “mund të bëjë më shumë dëm sesa mirë” dhe madje disa shkolla, iu kanë dërguar letra prindërve për t’i paralajmëruar drejt serialit.
Netflix fillimisht u kritikua më së shumti për finalen e sezonit të parë, që paraqet një skenë vetëvrasjeje 3 minuta të gjatë. Prej atëherë, skena u fshi.
365 Days
Filmi polak, i përshkruar si “pornografi e butë”, është akuzuar shpesh për erotizëm të sindromës së Stockholmit. Një peticion që kërkon heqjen e tij nga Netflix thotë se filmi “përjetëson magjepsjen e kulturës së përdhunimit”.
Sidoqoftë, ai ka thyer rekorde shikueshmëri dhe ka qenë në filim të listave në shumë vende të botës.
Indian Matchmaking
Reality show me takime “Indian Matchmaking”, shkaktoi reagime të mëdha kur u publikua. Ai ndjek një shërbim mblesërie për indianët dhe indiano-amerikanët dhe është përshkruar nga disa shikues si një “program me nota të mëdha sekzismi”. Shumë akuzuan serialin për mbështetjen e ideve, si martesat e rregulluara dhe forcimin e stereotipeve që tashmë ekzistojnë.
Cooking on High
Netflix u detyrua t’i hiqte programet “Cooking on High”, “The Legend of 420” dhe “Disjointed” nga shërbimi i tij në Singapor. Kjo, erdhi pas një kërkese me shkrim nga Autoriteti i Zhvillimit të Medias në Singapor Infocomm (IMDA).
Singapori ka disa nga ligjet më të ashpra në botë të drogës. Qyteti-shtet ka një politikë të tolerancës zero për drogat e paligjshme dhe u imponon burgime të gjata përdoruesve të dënuar. Sipas grupeve të të drejtave, vendi ka varur qindra njerëz për shkelje të drogës gjatë dekadave të fundit.
Cooking on High ka të bëjë me ndërthurjen në receta të drogërave si marijuana.
Messiah
Seriali thriller “Messiah” u anulua nga Netflix pas vetëm një sezoni pas akuzave që përmbante një ndjenjë anti-islamike nëntekstuale.
Shfaqja e luajtur nga Michelle Monaghan, tregon një agjente të CIA-s që heton një figurë enigmatike të njohur si Al-Masih, i cili ndërton një legjion pasuesish, pasi pretendon se u dërgua në Tokë nga një fuqi më e lartë.
Insatiable
I përshkruar nga Netflix, si një “komedi hakmarrjeje e errët dhe e përdredhur”, “Insatiable” flet për një adoleshente mbipeshë, të tallur në shkollë, e cila, pas humbjes së peshës, bëhet e njohur dhe kërkon hakmarrje të dhunshme ndaj atyre që i bënë padrejtësi.
Kritikët e quajtën prodhimin “fatphobic” dhe nxitës të çregullimeve të ngrënies.
Seriali u rikthye në një sezon të dytë, pavarësisht se mbi 100.000 njerëz nënshkruan një peticion që ai të anulohej.
The First Temptation of Christ
Më shumë se dy milion njerëz nënshkruan një peticion duke kërkuar që Netflix të hiqte këtë komedi, e cila përshkruan Jezusin si një homoseksual.
“Tundimi i Parë i Krishtit” është një shfaqje e vetme e bërë nga një grup komik brazilian, që nënkupton se Jezusi është në një marrëdhënie seksuale me mikun e tij mashkull, Orlando.
Eduardo Bolsonaro, djali i presidentit brazilian, shkroi në mediat sociale: “Ne mbështesim lirinë e shprehjes, por a ia vlen të sulmosh besimin e 86 përqind të popullsisë?”
The Goop Lab
Seriali i Gwyneth Paltrow eksploron efektivitetin e terapive alternative për sëmundjet fizike dhe mendore.
Shefi ekzekutiv i NHS, Angli argumentoi se ai paraqet një “rrezik të konsiderueshëm shëndetësor” për publikun dhe përhap “dezinformim”.
Atypical
Seriali flet për një djalë në gjimnaz, të quajtur Sam, i cili ka autizëm. Shumë kanë kritikuar mungesën e njerëzve autikë që punojnë në prapaskenë ose në ndonjë rol kryesor.
Mickey Rowe, i cili ishte aktori i parë autik që luajti rolin në “The Curious Incident of the Dog in the Night-Time”, tha se u ndje i zhgënjyer, kur pa se në disa raste, prindërit e Sam e shikonin autizmin e djalit të tyre, si “një tragjedi”. Të tjerët e kritikuan atë për përshkrimin e Sam-it, si një “robot” pa sens humori.
Cuties
Njerëzit krijuan hashtagun #CancelNetlix (Anulo Netflix) pas publikimit të posterit të “Cuties”.
Përkundër marrjes së vlerësimeve kritike dhe fitimit të një çmimi të regjisurës në Festivalin e Filmit Sundance 2019, disa njerëz e kanë akuzuar atë për “seksualizim” të vajzave të reja dhe “ushqyerje të pedofilisë.”
“Cuties”, flet për një vajzë 11-vjeçare, Amy Pason e cila i bashkohet një grupi kërcimi të quajtur “Cuties” në shkollë dhe shpejt bëhet e vetëdijshme për feminitetin e saj teksa rritet, duke krijuar konflikte dhe zënka me nënën e saj.