Profesori i Komunikimit Mark Marku në një lidhje të drejtpërdrejtë me Skype në “News 24”, duke folur për masat ndaj koronavirusit, deklaroi se platforma E-Albania nuk funksionon, kurse shtoi se duket sikur qeveria tallet me qytetarët.
“Ka një problem, platforma E-Albania nuk funksionon për të marrë leje. Unë po bëja një kërkesë dhe tre orë nuk punonte. Unë punoj me internetin u bënë gati 30 vjet. Kur nuk hyj unë, imagjino si mund të hyjnë qytetarët që kanë shumë pak përvojë me internetin.
Unë ngrita shqetësimin, duke u nisur nga një problem personal. Edhe meazhi është problem, edhe ai vjen me vonesë. Nëse ti ke nevojë urgjente dhe të duhen 24 orë, i bie që nuk është aspak efikase. Kjo i bie të jetë tallje”, tha Marku.
Mark Marku nënvizoi se platforma E-Albania nuk është një problem vetëm për të, por thuajse gjithë shqiptarët.
“Këtë problem me sistemin nuk e kam vetëm unë, e kanë pafund njerëz. Duke qenë se shkruaj dhe mbaj qëndrime publike, unë e shpreha sepse është shqetësim publik.
E dyta, AKSHI duhet ta dijë se unë jam një person që mund të jem i pari që kam përdorur kompjuter në Shqipëri, jam ndër të parët që përdor celular. Unë pjesën më të madhe të punës e kam bërë me teknologji”, u shpreh Marku.
Më tej, Marku theksoi se qeveria përpos masave, duhet që të marrë edhe iniciativa për të mbështetur më tepër ekonominë.
“Masat mendoj se janë të nevojshme. Këtu janë masa më të mëdha sesa në Europë, por edhe këtë e kuptoj, sepse shteti është në një situatë më të dobët se cfarë janë shtetet e tjera europiane. Duhen kufizime të forta, sepse shteti nuk ka mundësi të funksionojë ndryshe.
Kufizimet i mbështes. Kufizimet do të duhet që të kenë edhe masa të tjera. Qeveria nuk po mbështet bizneset, as qytetarët. Shërbimi mjekësor në shtëpi nuk të vjen. Ka ankesa pa fund për mungesë të shërbimeve”, vlerësoi Marku.
Marku Marku, dduke folur për mediat, deklaroi se ata duhen ndihmuar, në këtë kohë koronavirusi.
“Media si biznes duhet ndihmuar, por dhe si një shërbim publik. Propaganda kundër mediave ka qenë konstante në këto 7 vite. Ai e ka paraqitur si rrezik median, në mënyrë që të adoptojë mediat, në mënyrë që praganda e vet të përcillet tek publiku”, u shpreh ai.
(d.xh/ Balkanweb)