Pandemia e Covid-19 ka futur në krizë edhe shtypin e shkruar. Revista muzikore Q në Britaninë e Madhe do të mbyllet, pas 34 vjetësh në treg. Drejtori i Përgjithshëm i revistës mujore, Ted Kessler ka bërë të ditur se koronavirusi e dëmtoi shumë rëndë këtë biznes. Revista Q ishte e vetmja që publikonte informacione dhe detaje muzikore nga artistë të ndryshëm botëror.
Kessler është shprehur se janë munduar për më shumë 4 muaj që kur pandemia u përhap që të shmangin falimentimin dhe revista të vazhdonte që të printohej, por kriza u thellua edhe më shumë. Bauer Media Group, e cila ndodhet në Gjermani është kompania mëmë për revistën Q, ka deklaruar se stafi u përgjysmua që në fillim të muaj Prill dhe humbjet ishin shumë të mëdha.
E themeluar në vitin 1986 nga gazetarët e muzikës Mark Ellen dhe David Hepworth, Q fitoi popullaritet të madh në analizën që i bënte muzikës rrok në Britani. Numri i ri, por i fundit që do të dale në shitje në 28 Korrik do të titullohet “Aventurat e Legjendave 1986 deri 2020” dhe do të përmbajë intervistat më të famshme, me David Bowie, Joni Mitchell dhe Prince.