Kush nga ne nuk e ka mësuar përmendësh tekstin e filmit të famshëm shqiptar “Taulanti kërkon një motër” dhe kush nuk e mban mend Taulantin që, bëri ç’bëri, i bindi prindërit e tij t’i sillnin një motër…
Megjithëse është e vështirë të ndërtojmë në mendje një profil tjetër Taulanti dhe vështirë të besojmë se ai është rritur, ja që është kështu. Donald Kokona, Taulanti i filmit, nuk është më aktor. Profesion të jetës ai nuk zgjodhi aktrimin, por arkitekturën.
I ftuar pasditen e sotme në “Pasdite ne Top Channel”, Donaldi rrëfeu me nostalgji historitë gjatë dhe pas filmit të vitit 1984, asokohe 4 vjeç e gjysmë, marrëdhëniet me pjesën tjetër të fëmijëve, por edhe vitet pas filmit që e bëri të famshëm.
Donaldi, fillimisht as nuk e kishte menduar se sa famë dhe sa VIP do të bëhej pas atij filmi, por edhe shumë vite më pas, përjeton një gjendje të mirë kur shumë njerëz i bëjnë të njëjtën pyetje: “Ku të kam parë?” Megjithëse ndonjëherë e ngatërrojnë me dikë tjetër, megjithëse e kanë parë diku tjetër, për Donaldin nuk përbën më rëndësi. Ai ndihet mirë sa herë njerëzit e identifikojnë dhe e kujtojnë diku fytyrën e ëmbël që vazhdon ta ketë akoma si atëherë kur ishte fëmijë.
Por nuk zgjodhi aktrimin. Përgjigjen për arsyen pse, ai ia kthen Jonidës me pyetje: “Po ti pse zgjodhe gazetarinë për profesion? E zgjodha sepse kjo më pëlqente. Këtë doja…” – thotë Donaldi duke na kujtuar ne të pavëmendshmëve që edhe në film, në ato skena ku ai duhej të vizatonte, e bënte këtë shumë mirë, pra qysh në atë moshë i kishte prirjet për profesionin që zgjodhi në jetë.
Megjithëse e lidhur ngushtë me artin, arkitektura është një profesion që e ka lënë Donaldin jashtë vëmendjes publike. Dhe kjo, e gjitha me dëshirën e tij.
I pyetur nëse do të pranonte sot, po do t’i vinte një propozim për të qenë pjesë e ndonjë filmi, me modesti, Donaldi thotë ka shumë të tjerë që do ta bënin më mirë: “Nuk ka njeri që thotë jo, por jam i sigurt që nuk do e bëja mirë, ka të tjerë më të zotë.”
Po statusi civil? Edhe kjo fazë është e zgjidhur: “Tani jam në një fazë të konsoliduar, edhe personal, edhe familjar, edhe profesional” – thotë ai pa i shpëtuar pyetjes së Jonidës për partneren. Ajo nuk është arkitekte dhe për Donaldin është më mirë, sepse në shtëpi nuk do të ketë më të njëjtat biseda si në punë: “Ajo është juriste dhe më mirë, sepse në të njëjtin zanat thonë të njëjtat halle, të njëjtat shqetësime, ndërsa kështu, çfarëdo që të thuash ti, është me ty. Po të ishim në të njëjtën profesion, do të kishim edhe debate…”
Pavarësisht se është larg aktrimit dhe ekranit, për publikun Donaldi është personazhi i dashur i të gjithëve, Taulanti është vëllai i çdo motre dhe vëllai i vogël që për të gjithë ne nuk do të rritet kurrë.