Presidenti francez, Emmanuel Macron kryesoi ceremoninë përkujtimore të mbajtur në tre vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse islamike në Francë, ndër të cilat më i rëndi ishte ai mbi redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo”.
Përgjatë tre ditëve janarin e vitit 2015, persona të armatosur vranë gazetarë e karikaturistë, oficerë policie e blerës në një supermarket hebre.
Përkujtimi nisi të dielën në ambientet e mëparshme të Charlie Hebdo, ku dy vëllezërit Said dhe Cherif Kouachi qëlluan dhe vranë 12 persona e plagosën 11 të tjerë.
Emrat e viktimave u lexuan një për një para se të vendoseshin kurora pranë godinës ku ndodheshin zyrat e atëhershme të revistës.
Homazhet u zhvendosën më pas në vendet ku u qëlluan për vdekje një polic dhe në marketin ku nga plumbat e Amedy Coulibaly gjetën vdekjen 4 persona.
Agresorët do të ekzekutoheshin më vonë nga policia.
Top Channel