Shtatë të vdekur dhe disa të plagosur pas një sulmi që u quajt terrorist në qendër të Vjenës. “Ka pasur të shtëna me armë zjarri në qendër – ka persona të plagosur – rrini larg vendeve publike dhe transportit publik”, ka thënë policia.
Incidenti ka ndodhur afër sheshit Schwedenplatz, ndërsa flitet për 6 autorë, dy prej tyre janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë. Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, ka thënë se sulmi i së hënës besohet se është terrorist.
“Në këtë moment mund të konfirmoj se besojmë se kemi një sulm terrorist”, ka thënë ai.
Policia e Vjenës u ka bërë thirrje njerëzve që të mos shpërndajnë video dhe fotografi nëpër rrjetet sociale. “Kjo gjë rrezikon forcat policore si dhe popullsinë civile”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.
Por ndërkohë në “Twitter” janë publikuar imazhe dhe video nga ajo që po ndodh në Vjenë. Në një prej tyre dyshohet se policia ka zhveshur disa të dyshuar që ndodhen me duart lart.
Oskar Deutsch, i cili është në krye në komunitetit të hebrenjve në Vjenë, ka thënë se të shtënat kanë ndodhur në rrugën ku gjendet sinagoga kryesore e qytetit, mirëpo ende nuk është e qartë nëse ky institucion ka qenë shënjestër, transmeton agjencia e lajmeve, AP.
Sinagoga ka qenë e mbyllur në kohën e shtënave, ka thënë Deutsch. Agjencia austriake e lajmeve, APA, ka cituar Ministrinë e Brendshme të ketë thënë se një sulmues është vrarë.
Një zyrtar policor është plagosur rëndë, ka thënë ky zëdhënës sipas agjencisë së lajmeve APA. Policia ka thënë se operacioni në qendër të qytetit është duke vazhduar dhe se ende nuk dihen shkaqet e sakta të incidentit.