Emisioni investigativ italian Striscia la Notizia, ne emisionin e ditës se djeshme ka zbuluar të vërtetën se si përzgjidhen aspirantët kuzhinier për të qenë konkurentë, që nga ajo sa është transmetuar në program rezulton të jenë më shumë se njerëz të thjeshtë që kanë pasion gatimin.
Max Laudadio, gazetari i “Striscia”, ka takuar Bleri Dervishin, fitues i edicionit të dytë të MasterChef Albania, i cili në pa dijeni të kameras që vazhdonte të filmonte, i ka rrëfyer gazetarit se të gjithë konkurentët e MasterChef janë profesionist dhe jo ashtu siç ata prezantohen për publikun.
“Ishim katër veta në gjysmëfinale dhe të gjithë punonim në restorante luksoze, ishim profesionistë. Ne e dinim se të gjithë konkurentët ishin kuzhinierë”, ka thënë Dervishi që fitoi në moshën 21 vjeçare MasterChief, por në fakt e ka nisur punën e tij si kuzhinier që në moshën 17 vjeçare.
I pyetur se kush vendos për këtë përzgjedhje, Dervishi përgjigjet: “Kjo varet nga Endemol.”
Një skandal ky që do të ndikojë padyshim në suksesin e programit, ku nuk do të mungojë edhe zhgënjimi i publikut për të cilin Top Channel dhe produksioni duhet të japin një shpjegim, edhe pse komentet këtu do të ishin të tepërta!