E ftuar në episodin e dytë të emisionit “Ku Ke humbur” në Top Albania Radio, Stela Kotri, një ndër moderatoret më të dashura të ekranit shqiptar, ka rrëfyer për periudhën e saj larg ekranit dhe për pasionin e padukshëm që e mban lidhur me televizionin. Stela, e cila u bë e njohur me daljen e saj të parë në “Top Select” dhe vazhdoi të spikaste në emisionet sportive dhe ato të mëngjesit, vendosi në një moment të shkëputej nga roli i moderatores.
E pyetur nëse e merr malli për ekranin, Stela pohoi se me siguri. “Punët e bëra me pasion janë ato për të cilat të merr malli gjithmonë, edhe nëse shkëputesh apo largohesh disi,” shtoi ajo. E fundit herë që Stela qe në ekran ishte në vitin 2018, në formatin “Në shtëpinë tonë”.
Kur u pyet nëse mendon të rikthehet sërish në televizion, ajo u shpreh pozitivisht. “Do t’i rikthehem sërish televizionit sepse kam nevojë realisht për atë lloj energjie. Është një gjë që të fle në shpirt dhe ti ke nevojë që t’i rikthehesh patjetër,” deklaroi Stela.
Megjithatë, ajo vëren se televizioni ka ndryshuar shumë që nga koha kur ajo ishte pjesë e tij. “E shoh më të prekshëm, ndoshta standardet për të hyrë sot në televizion janë krejt të tjera,” shtoi Stela, duke nënvizuar se sot shpesh nuk është talenti që luan rolin kryesor në përzgjedhjen e personazheve televizivë. Ajo shprehet se kjo mund të jetë e mirë për ata që ëndërrojnë ekranin, por në të njëjtën kohë mund të sjellë padrejtësi ndaj atyre që vërtet e meritojnë të jenë aty.