Dhjetori është muaji, i cili veç bilanceve të një viti të në ikje, sjell më afër njerëzit. Duket sikur shpërndahet më tepër dashuri, thuhen më shumë fjalë të mira dhe bëhen dhe më shumë dhurata. Është muaji që na afron më shumë. Për ata që punojnë në media festat janë pak më të çmuara, pasi sezonet e ngjeshura, puna me orë e pa orë, presioni i të qenit i pari, i të gjeturit të historisë janë pak më frymëmarrëse se në profesione të tjera. Megjithatë festat janë afër. Të gjithë bëhen gati për t’i shijuar, edhe pse stafi i Fiks Fare duket se e ka nisur festën pak më herët. Pogradeci është destinacioni që Filip Cakuli ka zgjedhur për stafin e tij, të cilit ia ashtu siç i kërkon punën, ashtu edhe nuk ia kursen qejfet.
Bashkia e qytetit të Pogradecit ka organizuar panairin e verërave për fundvit, në të cilin ka qenë i ftuar edhe stafi i Fiksit. Prezantuesit e emisionit, Fiori Dardha, Albana Osmani e Gent Pjetri, gazetarët, velinat së bashku me drejtorin dhe ideatorin Cakuli pasi kanë shijuar verën ia kanë marrë vëndçe, siç e do zakoni në sebepe të tilla, me valle.
Bashkia e Pogradecit në këtë panair veç ushqimeve tradicionale dhe liqenit e bukurive që ka, ka menduar të tërheqë edhe në dimër vizitorë me panairin e verërave.