Kompanitë e telekomunikacionit në SHBA, T-Mobile dhe Sprint, ranë dakord për shkrirjen mes tyre që arrin vlerën e 26 miliardë dollarëve. Kompanitë bënë të ditur se pritet të kalojnë sfidat rregullatore për shkak se marrëveshja do të krijojë mijëra vende pune dhe do të bëjë që Shtetet e Bashkuara të kenë avantazh ndaj Kinës në rrjetin celular.
Kjo dakordësi përfundon bisedimet 4-vjeçare të operatorëve të rrjeteve të lëvizshme, që zënë vendin e tretë dhe të katrët në tregun amerikan. Bashkimi pritet të krijojë një kompani me 127 milionë klientë, që do të jetë një konkurrent i ashpër ndaj dy firmave më të mëdha të këtij sektori; Verizon Communications dhe AT&T.
Autoritetet rregullatore në SHBA pritet të hetojnë ashpër këtë marrëveshje, kryesisht mbi mënyrën e vendosjes së çmimeve. Verizon kishte 116 milionë klientë ndërsa AT&T, 93 milionë deri në tremujorin e parë 2018.
Marrëveshja e mësipërme nuk rezultoi me sukses në vitin 2014, kur administrata e Obama shfaqi shqetësime mbi krijimin e një monopoli. Sipas kreut ekzekutiv të T-Mobile në SHBA, John Legere, marrëveshja e re do të krijojë rrjetin me kapacitetin më të lartë në SHBA, me çmime më të ulëta, më shumë vende pune dhe shërbime të përmirësuara në zonat rurale.
Kompania e re, që do të marrë emrin e blerësit, T-Mobile, do të investojë 40 miliardë dollarë në 3 vitet e ardhshme për të rinovuar rrjetet, në mënyrë që të përshtatet me teknologjinë 5G, që sipas kreut të kompanisë, do të ketë shpejtësinë që duhet për të karikuar dronët dhe makinat pa pilot.
Sipas renditjeve zyrtare në SHBA, vendi mbetet pas Kinës dhe Koresë së Jugut në gatishmërinë për të prezantuar rrjetin 5G.
Lajmërimi erdhi pasi zotëruesi kryesor i T-Mobile, Deutsche Telekom dhe kompania japoneze Softbank, që kontrollon Sprint, ranë dakord për një strukturë që do të lejojë firmën gjermane që të vazhdojë të konsolidojë kompaninë, që do të ketë një vlerë tregu prej mbi 80 miliardë dollarë.
DT do të zotërojë 42% të kompanisë së kombinuar, do të kontrollojë bordhin dhe zgjedh 9 nga 14 drejtorë.
Klevis Llaha/SCAN