Përdoruesit do të kenë në dispozicion një listë të pafundme me këngë
Në një kohë kur nuk flitet gjë tjetër veçse për Inteligjencën Artificiale, Spotify synon ta shndërrojë atë në një DJ, i cili krijon dhe komenton një listë muzikore sipas shijes suaj. Ky është një funksion i ri, të cilin platforma e cilëson si një “IA DJ në xhepin tuaj”, që “ju njeh ju dhe shijen muzikore aq mirë, sa mund të zgjedhë muzikën për ju”.
Për momentin, versioni Beta do të jetë i disponueshëm vetëm te përdoruesit Premium në SHBA dhe Kanada, por ka shumë të ngjarë që Spotify ta shtrijë atë në nivel global.
Së pari, me këtë funksion, përdoruesit do të kenë në dispozicion një listë të pafundme me këngë, të cilën mund ta ndryshojnë, nëpërmjet butonit “DJ” dhe t’i dërgojnë një feedback Inteligjencës Artificiale.
Duke bërë këtë, do të ndryshojë regjistri dhe do t’ju sugjerojë artistë që nuk i njihni, apo këngë të vjetra të cilat i keni vlerësuar më parë. Inteligjenca Artificiale e platformës nuk do të kufizohet vetëm në zgjedhjen e muzikës, por edhe do ta komentojë atë.
Kjo falë teknologjisë zanore Sonantic AI, një startup i blerë nga Spotify vitin e kaluar. Platforma thotë se i krijoi komentet nga një ndërthurje burimesh, duke përfshirë “ekspertë të muzikës, profesionistë të kulturës, kuratorë të të dhënave, [dhe] skenaristë”, plus teknologjinë gjeneruese të mundësuar nga OpenAI.
Emily Galloway, drejtuese e dizajnit të produktit për personalizimin e Spotify, saktësoi se ndërsa “komenti për secilin artist është i ngjashëm, rendi në të cilin përdoruesit marrin komentin është unik dhe i bazuar në zakonet e dëgjimit të secilit përdorues”. Duke lexuar mes rreshtave, duket se modeli ka disa fraza standarde, që i përshtat sipas muzikës, por ndoshta mund të improvizojë në disa momente të paracaktuara.
Përdoruesit duket se kanë akses vetëm te një zë i bazuar në atë të Xavier “X” Jernigan, zëri legjendar i Spotify, por në të ardhmen priten të shtohen më shumë “të ftuar virtualë” (host virtual). DJ i Spotify është një nga aplikacionet më interesante të mbështetura tek Inteligjenca Artificiale.
Së pari, sepse shënon rikthimin te radio, edhe pse shumë e kanë braktisur atë, duke kaluar te streaming muzikor.
Së dyti, me këtë funksion, platforma bën një hap përpara krahasuar me YouTube Music, i cili ka krijuar para pak kohësh opsionin “Radio Builder”.
Funksioni i ri i Spotify është një rrugë e mesme midis një stacioni radio mbi të cilin nuk keni kontroll dhe një liste dëgjimi të personalizuar në mënyrë të përsosur.
Burimi: Wired/ monitor.al