Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara ka evidentuar se nga disa subjekte audiovizive në datën 09.05.2017 ka nisur të emetohet një reklamë politike. Reklama është përgatitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë mbi një aktivitet politik që ajo do të organizojë në Tiranë më 13.05.2017.
AMA në një deklaratë për shtyp u ka bërë apel të gjithë subjektet audiovizive, se bazuar në ligjin nr. 97/2013 “Mbi mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nuk lejohet të transmetohen reklama politike. Referuar përcaktimeve të nenit 39 dhe nenit 41, pika 2, transmetimet e këtyre reklamave janë të ndaluara. Përmbajtje të tilla lejohen vetëm në periudhën e zhvillimit të fushatave elektorale, bazuar në Kodin Zgjedhor të Republikës.
AMA tërheq vëmendjen për të gjitha subjektet audiovizive që të respektojnë kërkesat e ligjit 97/2013, për reklamat dhe komunikimet tregtare gjatë transmetimit të programeve për audiencën.