Sezoni i ri në TVKLAN ka nisur duke mbajtur shumicën e emisioneve të sprovuara në vite me audiencë besnike. Ai që duket se do të marrë të tjera dimensione dhe më shumë peshë është spektakli, show dhe argëtimi.
Albert Dumani, Drejtor Programacioni dhe Blerjesh, pohon se këtë sezon, në ekran do të zënë vend dy talent show, njëri në kërcim e tjetri, në këngë, ndërkohë që nuk do të mungojë përveç një spektakli të madh, edhe një format ndërkombëtar për të cilin po punohet me Luana Vjollcën, emri më i ri që i është bashkuar TVKLAN.
Si ka nisur ky sezon në TV KLAN, cilat janë emisionet bazë të strukturës që qëndrojnë dhe cilat janë ato të reja që do të kemi mundësi të ndjekim?
Sezoni i ri në TVKLAN nis javën e parë të shtatorit deri më 31 korrik të vitit të ardhshëm, duke premtuar programacion më cilësor, plot ngjyra dhe risi. Pothuajse të gjithë programet e strukturës kanë rinisur në sezonin e ri.
Disa nga programet si çdo sezon, edhe këtë vit rivijnë me disa ndryshime dhe risi në strukturën e tyre. “Aldo morning show”, nga e hëna në të shtunë, nga ora 06:59 – 10:00, vjen në një format të ri dhe me një ekip simpatik gazetarësh. Nga studio e re, ata përcjellin aktualitetin në mënyrën e tyre origjinale, në programin që shoqëron mëngjeset e shqiptarëve prej 15 vitesh. Këtë sezon në studio ka dhe të ftuar specialë VIP.
Dhe pas Aldos, zonja Vjollca dhe Katerina, rikthejnë në studio shijen e shtëpisë, me recetat e dashura dhe këshillat e dobishme në një dekor të ri dhe të ngrohtë, Tamam si në shtëpitë tona.
Ndryshime dhe freski çdo pasdite ka dhe te programi i përditshëm “Rudina” në vitin e 13-të në transmetim në TVKLAN, ku rubrikat e reja të emisionit dhe të ftuarit trajtojnë temat më të ndjeshme të familjes dhe shoqërisë shqiptare.
Pa harruar argëtimin, personazhet e njohur, muzikën dhe artin. Një show argëtues dhe informativ nga Rudina Magjistari, që shoqëron çdo pasdite familjet shqiptare si programi më i ndjekur në këtë fashë orare.
Dyshja e pakrahasueshme, Saimiri dhe Genti, në emisionin investigativ më të ndjekur në vend, bashkë me ekipin e palodhur të gazetarëve, vijnë çdo mbrëmje në “Stop”, në serinë e scoop-eve të tyre, që shpesh kanë tronditur shoqërinë shqiptare. Ky është viti i tetë i emisionit “Stop” në TVKLAN.
Emisioni “Opinion” nga Blendi Fevziu, që këtë vit shënon 25-vjetorin e tij, vazhdon të jetë emisioni me audiencë absolute nga e hëna në të enjte. Arena e politikës shqiptare që prej 31 gushtit 1997. Komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, dëshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet më të fundit dhe më të rëndësishme në jetën politike dhe sociale të vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e të ftuarve në studio.
Ardit Gjebrea, me të dielën e tij të pazëvendësueshme në çdo ekran shqiptar, tashmë prej 14 vitesh, rivjen çdo të diel nga ora 13:20 – 19:20, me plot surpriza për këtë sezon të ri. Në nëntor vjen në TVKLAN dhe edicioni i 23-të i festivalit ndërkombëtar “Kënga Magjike”, ku për herë të parë, teknologjia televizive do të sjellë nivelet eurovizive.
Dyshja e suksesshme Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu fillojnë sezonin me “Dance Albania”, talent show me 10 Yje VIP shqiptarë. Garë, emocione, kërcime, juri, spektakël, ritme, ngjyra, kostumografi, adrenalinë.
Formati më i famshëm i kërcimit në Shqipëri… Pas këtij formati ato do të sjellin vitin e ardhëm, brenda këtij sezoni edicionin e 5-të të fenomenit “X Factor Albania”, ku do të zbulojnë talentet e reja mbarëshqiptare të këngës.
Fundjava në TVKLAN sjell shown më të bukur të humorit. “Klanifornia”, me personazhet e famshëm, por dhe me talente e numra të rinj, sjell spektaklin e pakonkurrueshëm të mbrëmjeve të së shtunës.
Këtë sezon, ekrani i TV Klan vjen çdo të premte me një ekskluzivitet. Luana Vjollca, moderatorja dhe autorja e njohur po përgatit një show të madh televiziv me titullin “Zemër Luana”. Emrat më të famshëm të botës së spektaklit dhe showbizit, do të ndeshen mes tyre në një program që fillon së shpejti.
Në pranverë, TVKLAN dhe Luana Vjollca do të sjellin për publikun shqiptar një nga formatet më të suksesshëm ndërkombëtarë, i cili do të shënojë dhe formatin më të madh dhe më të kushtueshëm të të gjitha kohërave në televizionet shqiptare.
Nuk mungojnë edhe këtë sezon emisionet javore, tashmë të provuara me suksesin e tyre në TVKLAN. Aventurat e bukura të Alma Çupit në çdo cep të Shqipërisë me “Histori Shqiptare”, kronika kulturore më e plotë në vend e Orinda Hutës me “Jo vetëm modë” dhe udhëtimet anembanë botës të Albana Nanaj me Check-in e saj.
Kampionët e zemrave kuqezi nuk mund të mungojnë në ekranin kampion. Të gjitha ndeshjet e kombëtares shqiptare transmetohen tashmë vetëm në TVKLAN, 4 vjet Klan Kuqezi.
Cila do të jetë pesha që do të mbajnë në ekran prodhimet e vetë TV Klan dhe cila është ajo e blerjeve?
80% janë prodhimet tona dhe 20% janë prodhime të huaja të blera.
Vihet re rritje e kostove në segmente të ndryshme të ekonomisë, a e ka prekur kjo tendencë edhe prodhimin në televizione, a kushton më shtrenjtë sot të prodhosh një emision apo spektakël dhe cilat janë arsyet, nëse po?
Rritje të kostove ka edhe për TV, si në çdo aspekt tjetër të ekonomisë. Rritja e çmimeve pasqyrohet te stafi i televizionit, i cili duhet motivuar me rritje pagesash, te transporti i mjeteve për xhirimet jashtë televizionit, për blerjen e pajisjeve të reja në teknologji, për ndërtimin e skenografive të reja.
Cilat janë disa nga blerjet më të rëndësishme të televizionit tuaj për këtë sezon sa u takon filmave, serialeve dhe telenovelave dhe cilat janë disa nga tendencat që vini re në tregjet globale lidhur me to (kush po fiton popullaritet dhe vëmendje)?
TVKLAN do të vazhdojë të sjellë për publikun shqiptar seriale të mirë ndërkombëtare, prodhimet më të fundit dhe më të klikuar në Netflix me sukses në çdo vend ku janë shfaqur. Prodhimet turke vazhdojnë të jenë numri 1, si serialet më të realizuar artistikisht dhe më të preferuar për publikun shqiptar.
Ky trend i prodhimeve turke sa vjen dhe po shtrihet edhe në shumë vende të tjera. Vitet e fundit, serialet turke kanë fituar territore të reja në shtete që deri dje prodhonin serialet e tyre. Sot këto vende po blejnë dhe po shfaqin seriale turke, sepse këto të fundit rezultojnë më të suksesshme për publikun përkatës dhe aktualisht, Turqia është numri 2 i eksportit më të madh të prodhimeve televizive pas SHBA.
Prodhimet turke po korrin sukses të jashtëzakonshëm në Spanjë, Argjentinë, Itali, Brazil, Suedi, Kroaci, Serbi, Bullgari, pa anashkaluar suksesin e tyre të përhershëm në dekadën e fundit në Ballkan, Europën Juglindore, Lindjen e Mesme apo Amerikën e Jugut.
Këtë sezon do të shfaqët sezoni i 5-të i serialit më të ndjekur dhe më të kushtueshëm të të gjitha kohërave, “Osmani”. Vijon sezonin e dytë seriali dramatik më i ndjekur që konkurron edhe prodhimet televizive shqiptare të televizioneve të tjera, “I pabesë”.
Në tetor nis çdo pasdite seriali i ri “Flakët e fatit”, një dramë e jashtëzakonshme, bazuar në historinë e vërtetë të “Bazar de la charite”. Një histori për të gjetur veten, për të mbijetuar, për të kërkuar drejtësi dhe dashurinë e vërtetë…
Një serial për fuqizimin e gruas, ku rrëfehet si ato mbijetuan kundër shtypjes, tragjedisë së zjarrit, dhunës në familje. Tri gra që rilindin nga hiri në një jetë të re. Për t’i lënë vendin në janar sezonit të tretë të serialit tjetër HIT “Vajza në dritare”, i shpallur si seriali më i mirë i vitit. Drama e Nalan, e cila duhet të dalë nga kafazi “i qelqtë” ku e ka futur nëna e saj. Në serial i bazuar në një histori të vërtetë.
Në mbrëmjen e dytë vijon transmetimin seriali shumë i ndjekur në Netflix, “Velvet”. Një perandori e ndërtuar me mëndafsh, sensualitet dhe joshje. Në fundin e viteve 1950 në Madrid, në epokën e artë të “Haute couture”, ekziston një perandori veshjesh, ku çdokush duhet të bëjë blerje në të, të paktën një herë në jetë, në Galerinë “Velvet”.
Brenda këtij pallati art-deco, po ndodh një dashuri e zjarrtë mes Anës dhe Albertos. Pas tij do të shfaqet premierë ekskluzive një tjetër serial shumë i klikuar në Netflix, “Cartel: Origins”, një tjetër prodhim i bazuar në ngjarje të vërteta, për dy vëllezër trafikantë në Cali, të cilët u shndërruan në baronët e drogës në Kolumbi.
Ka një rritje të popullaritetit të platformave të tilla si Netflix, Disney+, apo Amazon Prime Video, edhe pse në Shqipëri vetëm Netflix ka një numër modest abonimesh. A përbën kjo një konkurrencë për televizionet dhe si po përpiqen këta të fundit të mbajnë pas vetes audiencën?
Mediat online janë një zgjidhje për elementin kohë, kështu publiku nuk ka pse pret orën dhe ditën e caktuar për të parë një program që ai dëshiron. Për këtë arsye, këto platforma po i bëjnë konkurrencë televizionit në të gjithë botën.
Televizionet përpiqet të mbajnë besnik audiencën e tyre, duke prodhuar programe të mira dhe interesante për publikun, apo në rastin e TVKLAN, që ne blejmë edhe prodhime që shfaqen në Netflix apo Amazon.
Televizioni do të mbetet media e preferuar për audiencën e rritur në moshë mbi 40 vjeç, të cilët janë mësuar me TV dhe nuk janë përdorues të platformave televizive online. Audienca e re është më shumë fanse dhe përdoruese e këtyre platformave.
Një tjetër zgjidhje për ne ka qenë edhe investimi në zhvillimin e një aplikacioni si “Klani im”, i cili konkurron këto platforma, duke bërë që publiku të mund ta shohë jo vetëm 24 orë online të gjithë transmetimin e njëkohshëm kudo që të jetë, por të mund ta shohë atë të regjistruar, në momentin që ka kohë për të ndjekur programin apo serialin e preferuar.
Nga ajo që vini re për çfarë është më e interesuar audienca -politikë, aktualitet, argëtim – dhe cila është pesha që zë secila prej tyre në TV Klan në ketë sezon?
TVKLAN është një televizion gjeneralist 4+, kështu që në grilën programore ka vend për çdo kënaqësi që të ofron televizioni. Ai vazhdon të mbetet pjesëtari plus në familje, që të informon, edukon dhe argëton. Sidomos në Shqipëri ku shifrat e papunësisë janë të larta, televizioni mbetet ai që të shoqëron në shtëpi, duke të ofruar një “shoqëri” të këndshme.