Edhe pak orë na ndajnë nga spektakli “Dancing with the stars”. Premiera e kësaj mbrëmjeje që çel rrugëtimin e 12 personazheve në teatrin e kërcimit, është komentuar gjatë, për risitë dhe spektaklin që do të ofrojë çdo të premte nën logon e Vizion Plus.
Surpriza e parë për publikun ishte bukuroshja Almeda Abazi. “Dancing with the stars” riktheu në vendlindje Miss Shqipërinë që kishte ndërtuar jetën e saj në Turqi.
Për Almedën kjo nuk është përvoja e parë në një format të këtij lloji, pasi 6 vite më parë ajo u prezantua si një nga yjet që kërcenin në “Dancing with the stars Turkey”. Këtë herë në të njëjtën patentë të BBC Production, Almeda Abazi do të jetë prezantuesja, së bashku me Rudi Hizmon.
“Dancing with the stars” është një risi më vete në këtë edicioni të shtatë edhe sepse rikthen konkurrentët më interesantë që kanë kërcyer në këtë skenë të madhe. Soni Malaj, Roland Hysi e Viktor Zhusti rikthehen pas 10 vitesh në këtë pistë vallëzimi.
Xhani Shqerra është i vetmi që rikthehet ne edicionin e tretë te “Dancing with the stars”.
Aulona Musta e Rike Roçi ngjiten sërish në skenë për ta shijuar këtë eksperiencë njëlloj sikurse në edicionin e 4.
Mariza Ikonomi, Diellza Kolgeci, Amos Zaharia e Kristi Popa, konkurrentë të edicionit të pestë rrëfejnë se këtë vit synojnë edhe kupën.
Niko Komani e Rovena Dilo janë personazhet e përzgjedhur nga edicioni i 6-të i “Dancing with the stars”, e këtë vit synojnë të shijojnë çdo grimcë magjie të kërcimit.
“Dancing with the stars” starton edicionin e shtatë sonte në Vizion Plus dhe do t’ju shoqërojë për 3 muaj me koreografi, muzikë e kostume plot ngjyra.