Tre ditë më parë në vendin tonë mbërritën 38.400 doza të vaksinës AstraZeneca të prodhuara në Suedi, ndërsa të shtunën në Tiranë nisi vaksinimi i 250 mësuesve dhe pedagogëve në shkollën “4 Dëshmorët”. Sipas kryeministrit dhe ministres së Shëndetësisë Manastirliu nga sot do të nisë vaksinimi i mësuesve në gjithë territorin e Shqipërisë, por teksa kjo pritet të ndodhë, shtohet lista e vendeve që po e pezullojnë këtë vaksinë. Kështu, Holanda është bërë shteti i radhës që e ka ndaluar momentalisht procesin e dhënies së vaksinës, pas efekteve anësore të shkaktuara nga injektimi i saj.
Qeveria holandeze tha se pezullimi, i cili do të zgjasë të paktën deri më 29 mars, ishte një masë paraprake që ka ardhur pas raporteve nga Danimarka dhe Norvegjia për efektet e mundshme anësore serioze.
Kujtojmë që Danimarka, Norvegjia, Bullgaria, Islanda dhe Tajlanda janë disa prej vendeve që kanë ndaluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca, teksa së fundmi ishte edhe Irlanda që mori të njejtin vendim. Ndërkohë vetë kompania prodhuese ka pasur probleme me vende si Italia dhe Franca.
Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), e cila aktualisht po kryen një hetim të incidenteve të mpiksjes së gjakut thotë se përfitimet e vaksinës vazhdojnë të tejkalojnë rreziqet e saj, ndërkohë për këtë ka reaguar edhe OBSH-ja. Sipas tyre nuk ka asnjë lidhje midis vaksinës dhe një rreziku të një mpiksje gjaku. Rreth 5 milion europianë kanë marrë tashmë vaksinën AstraZeneca, ndërsa në Britani kjo vaksinë u është injektuar rreth 10 milion qytetarëve.