Një betejë e fortë do të zhvillohet sonte në mbrëmje në “prime time” në ekranet e politikës. Të tre udhëheqësit e partive kryesore të vendit do të luftojnë jo vetëm për të fituar me argumente kundër njëri tjetrit por mbi të gjitha edhe për të vjedhur audiencën e kundërshtarëve në TV Klan, në News 24 dhe në Top Channel. Kryeministri Rama ka zgjedhur Top Story-n e Sokol Ballës për të folur për intergrimin në BE dhe vizitën në gjermani tek kancelarja Merkel. Ndërsa rivali i tij, Lulzim Basha ka preferuar ta kundërshtojë nga studioja e Opinion duke përballur qëndrimet dhe audiencat në ora 21.
Pas një heshtjeje të gjatë në skenë ka vendosur të dalë edhe Ilir Meta i cili ka pranuar sfidën e vështirë për tu përballur me Fatos Lubonjën, Andi Bushatin dhe Çim Pekën në emisionin e Ylli Rakipit. Duke qenë se është vendosur përballë dy liderve të partive të mëdha, që kanë kapur dhe dy ekranet më të shikueshëm në vend, Meta ka sakrifikuar një ballafaqim me pyetje të vështira për të marrë nga audienca e rivalëve të tij. Ai do të flasë për ligjin e plehrave, për hashashin,për koalicionin e ardhshëm dhe për marëdhëniet me Ramën.
Duke qenë se është në pozicionin më të vështirë, midis qeverisë dhe opozitës, Meta do të detyrohet të përballet me qëndrime për të cilat nuk është prononcuar deri më tani. Avantazhi i tij në raport me kundërshtarët për sa i përket audiencës është se “Të paekspozuarit” fillon në ora 20.45.
Në 21.00 nuk do ta ketë të lehtë sa lideri i opozitës përballë Fevziut. Ai do të duhet ti përgjigjet pretendimeve se po bllokon integrimin dhe se po mban peng ligjin e vetingut.
Pra sot në mbrëmje, përpos një lufte idesh dhe argumentash të tre liderët, janë angazhuar edhe në një betejë maramendëse për audiencë.
Publiku do të ketë lehtësin të zgjedhë midis tyre.
Vetëm nëse nuk bën zgjedhjen radikale për ti bojkotuar të gjithë në favor të emisionit popullor të “Vizion Plus“, “Tu si que vales” që gjithashtu sfidon me akrobat, këngëtare, komedian dhe imitues të rinj, aktorët e politikës që përsërisin të njëjtat gjëra. Edhe ky format argëtues fillon gjithashtu në ora 21 00.
Marrë nga Lapsi.al