“Top Fest 11” ka mbërritur në finale, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve dhe do të shfaqet në transmetim të drejtpërdrejtë, sot mbrëma, në Top Channel.
Ashtu sikurse çdo fund-rrugëtimi të këtij festivali mbarëkombëtar me këngë moderne, risitë do të jenë të shumta, ndërsa prezantuesit, tashmë jane konsoliduar vit pas viti: Ledion Liço dhe Marina e Luana Vjollca.
“Në 11 vite Top Fest, 10 vjet kam qenë këtu duke prezantuar, kështu që mund të mendosh se gjërat janë normale, të zakonshme, por jo… sepse është gjithmonë një ndjesi fantastike të jesh këtu brenda dhe këtë vit është e njëjta situatë. Çdo vit e shohim si një sfidë me veten, edhe në punën time personale, të paktën për atë që duket në ekran, sepse kur je këtu secili bën disa gjëra më tepër. Në skenar, këtë vit askush nuk do të jetë i qetë, pasi skenari do të jetë interaktiv, të gjithë do të jenë aktiv. Kështu që ata që kanë mundur të marrin bileta do të kenë diçka më tepër, jo vetëm shijimin e shfaqjes nga ana e këngëtarëve”, shprehet Ledion Liço, prezantues i “Top Fest 11”.
“Është kënaqësi dhe privilegj për ne, që prezantojmë për të katërtin vit radhazi finalen e madhe të Top Fest. Risitë e kësaj nate do të jenë të paimagjinueshme. Çdo performancë do të ketë nga një element skenik, që në festivalet shqiptare nuk është parë, këtë iua siguroj, por mund të themi se Top Fest mund të krahasohet më së miri me festivalet më të mira ndërkombëtare. Kështu që surprizat nuk kanë të sosura mbrëmjen e sotme”, thekson Marina Vjollca, prezantuese e “Top Fest 11”.
“Ne, dy motrat, iu japim fjalën për këtë pjesë që thotë Marina. Ndërkohë që edhe ne, këtë vit do të vijmë sërish ndryshe. Jemi munduar që këtë gjë ta bëjmë të paktën në çdo finale, njëherë si motra, njëherë me një marrëdhënie tjetër që kemi së bashku, sepse duke qendruar 24 orë bashkë kemi shumë për të treguar. Këtë vit jemi tërësisht ndryshe, pasi do përfshijmë edhe publikun. Marina këtë vit do t’iu habisë, sepse gjithmonë jam unë, ajo që kam ardhur me gjëra të reja, por ky është viti i Marinës”, deklaron Luana Vjollca, prezantuese e “Top Fest 11”.
“Për të shfrytëzuar impaktin dhe pëlqimin që Top Fest ka në publik, për të përçuar një mesazh që mendojmë se është i rëndësishëm dhe që askush prej nesh nuk duhet të rrijë pa bërë asgjë. Ndaj dhe bëjmë këtë gjë në Top Fest”, shton Ledion Liço.
“Do jetë absolutisht një edicion që do të mbahet mend shumë gjatë”, vijon Luana Vjollca.
Një hapësirë speciale do të jetë edhe ajo e tapetit të kuq, ku do të kalojnë këngëtarët pjesëmarrës, të ftuarit special, emra të njohur shqiptarë e ndërkombëtarë.
“Top Fest 11” nisi katër muaj më parë, me rreth 100 këngëtarë pjesëmarrës, të cilët u reduktuan në 37, në fazën gjysmëfinale, dhe 17 në finalen e sotme, ku do të garojnë për 13 çmime në total, të kategorive të ndryshme, përfshirë dhe çmimin e madh për këngën më të mirë të këtij edicioni.
Burimi | Top Channel