I ftuar në emisionin “Ëndërrtjerrësit”, moderatori i njohur i “The Voice of Albania”, Ledion Liço ka folur për fillimet e tij në ekran, duke nisur nga pjesëmarrja në akademinë “Poleposition”.
Ledioni tregoi se ëndrra e tij nuk ka qenë të bëhej prezantues, por këngëtarë, pasi kishte pasion për muzikën.
“Pasioni për muzikën. Nuk kam dashur të bëhem ndonjëherë prezantues, aq më pak gjërat që u bëra rrugës. Pasioni për muzikën më thirri në një karaoke tek Ethet”, tha Liço.
Ndërsa Albana Osmani kujton takimin e parë me Liçon duke thënë se ndonëse dukej pak i trembur, e kishte dëshirën për të vijuar televizionin.
“E mbaj mend që jemi takuar, jemi përshëndetur. Ishe pak i trembur, megjithatë dëshira për të vijuar televizionin nuk është se nuk ishte.”
Për këtë pjesë Ledioni u shpreh se 6 muajt e tij të parë në Top Channel nuk është paguar me asnjë lek. Vërtetë ka punuar falas, por duhet thënë se sot emri Ledion Liço kushton shumë.
Aktorja Niada Saliasi tregoi se si Liço fitoi audicionet në radio.
“Një javë pas finales, Arbana Osmani më merr dhe më thotë do vish për një audicion, po duhet të marrësh me vete dhe një djalë. I thashë dhe Ledionit, kemi shkuar bashkë për audicionin për një emision në radio. Ledioni e fitoi, unë nuk fitova”, tha Saliasi.
Nëse ju ka marrë malli të shihni Ledionin si moderator të “The Voice” na vjen keq t’ju themi se ky cikël ka mbaruar. Moderatori tha se punon me cikle dhe tashmë duhet të ndërmarrë iniciativa të reja.