Ditët e sotme paradite pritet që të mblidhet sërish Këshilli Politik nën mbikëqyrjen e plotë të ndërkombëtarëve.
Ashtu si edhe në ditën e parë, katër pëfaqësuesit e Këshillit, Damian Gjiknuri i PS-së, Rudina Hajdari e opozitës demokrate, Oerd Bylykbashi i PD-së dhe Petrit Vasili i LSI-së do të mblidhen në rezidencën e ambasadores amerikane. Takimi do te zhvillohet ne ora 11:00.
Ditën e djeshme pati 9 orë konsultime mes palëve dhe partitë kishin arritur disa pika kompromisi. Kështu siç deklaroi deputetja Hajdari, PD dhe LSI është tërhequr nga krijimi i një qeverie tranzitore, apo siç quhet ndryshe kujdestare, si dhe kanë rënë dakord për identifikimin biometrik të votuesve në zgjedhje.
Opozita kishte kërkuar që tre muaj përpara zgjedhjeve të krijohet qeveria kujdestare për të pasur si garanci për mbarëvajtjen e procesit zgjedhore.
Ndërsa mënyra e administrimit të zgjedhjeve, pra krijimi i KQZ-së, i komisioneve të niveleve të dyta apo të treta për votën po ndan mazhorancën dhe opozitën.
PD konteston propozimin e paraqitur që komisionet zgjedhore të jenë me anëtarë të depolitiziuar, duke propozuar një skemë që nuk e zhvesh kontrollin politik të procesit. Ndërsa pezull janë çështja e numërimit elektronik dhe mënyra e ankimimit, ky deri tani PS dhe PD duket do ta caktojnë Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin ankesave në zgjedhje, duke fshirë Kolegjin Zgjedhor.
Ambasadorët e SHBA-ve, i BE-së dhe i Britanisë së Madhe, së bashku me ekspertët e OSBE-së po asistojnë në këto negociata, i kanë dhënë një ultimatum të prerë partive që sot duhet të arrijnë një konsensus sa i përket reformës zgjedhore. Pra dita e sotme do të shihet nëse do të kemi “tym të bardhë” nga takimi i Këshillit Politik.