“Portokalli” rikthehet në funksionin e saj të parë, mbushur plot me aktorë të rinj. Natyrisht me surpriza, por edhe figura veterane, që prej kësaj të diele në ekranin e Top Channel.
Hamendësimet mediatike për ndryshimet e mëdha brenda “Portokallisë” kanë rritur edhe më shumë interesin në publik për spektaklin më të madh në vend të humorit, ndërkohë që në Top Channel janë të bindur për një sezon fantastik, që tashmë ka nisur.
“Një skenarist mjaft i njohur i humorit i bashkëngjitet Portokallisë. Pëllumb Kulla është një nga penat më të njohura të historisë së humorit shqiptar. Aktorët tashmë të njohur të Portokallisë vijnë me personazhe të reja”, thotë regjisori Altin Basha.
Të gjithë aktorët janë të uritur për duartrokitjet e publikut. Nëse dikush kërkon të bëjë apelin, mund ta nisë edhe nga F-ja, sepse Flori është bashkë me skuadrën, por edhe me shumë të rinj, që në këtë sezon do jenë pjesë e trupës.
“Përveç kryeministrit dhe personazheve të tjera, që java i sjell si detyrë për t’i bërë, do të jetë edhe seriali ‘Game of Thrones’, loja për pushtet. Do të jetë një ndërthurje e serialit ‘Game of Thrones’ për periudhën e errët të Mesjetës me realitetin shqiptar”, tha Florian Binaj, aktor.
Skena e re është një teatër, ndërkohë që ndriçimi është fjala e fundit e skenave dhe ekraneve europiane.
“Ky është vërtet teatër, është aset për qytetin, por është i Top Channel. Top Channel e bëri të mundur këtë teatër të madh”, tha Fatmir Minga, skenograf.
“Përveç talentit që kanë çunat dhe gocat që kanë ardhur, janë edhe shumë pozitivë”, tha Gazmend Paja.
Të rrëmbyer nga entuziazmi i teknologjisë dhe rrjeteve sociale, disa prej aktorëve i kanë dekonspiruar rolet e tyre, por ato kanë qenë vetëm prova, sepse në skenë është një shfaqje e magjishme.
“Unë jam larguar. Kam filluar një program të ri. Besoj që portalet do të shkruajnë të gjithë për largimin tim. Programi im quhet ‘Portokalli’”, shprehet aktori dhe moderatori Salsano Rrapi.
“Unë qeros kam hyrë, e qeros jam, edhe kjo më ka mbajtur gjallë, por veteran jam”, deklaron Ledio Lako.
“Po unë ç’duhet të them? Edhe mua më kanë dalë thinjat. Këtij i kanë rënë flokët, mua më kanë dalë thinjat”, thotë Xhemi Shehu.
“Përpiqemi që përveçse të bëjmë publikun të qeshë, të përcjellim edhe ndonjë mesazh. Të mbajmë një qëndrim sa më bashkëkohor. Ja vlen ta shohin Portokallinë këtë sezon, sepse është vërtet fantastike”, thonë ata.
Nëse nuk patët fat këtë javë për bileta në teatrin e ri, “Portokalli” iu vjen në ekran që prej kësaj të diele. /gazeta-Shqip.com