Pas një rrugëtimi prej 13 javësh dhe pas një sërë sfidash shumë të vështira në kuzhinën e MasterChef, ky edicion ka tashmë zyrtarisht dy finalistët e tij. Indriti, 31 vjeç dhe Bleri, 21 vjeç janë në garë për çmimin e madh prej 10 mijë Eurosh, librin me receta dhe trofeun e MasterChef. Përvoja kundër pasionit: kush do të fitojë në këtë sfidë?
Në finale, konkurrentët do të kenë mundësinë të shprehin gjithë talentin e tyre në 4 pjata, të cilat do të jenë ideuar nga vetë ata.
Finalja e 14 shkurtit është një mbrëmje që nuk duhet humbur, pasi do të ketë shumë surpriza dhe sigurisht gatime fantastike, që i gjejmë vetëm në MasterChef.
PROFILI I FINALISTEVE
INDRIT CELA
(31 vjeç – Krujë)
“Përmes gatimit unë shpreh gjithë ekperiencën time në jetë. Çdo pjatë e imja është një përvojë e jetuar”.
Indriti ka lindur më 14 Mars 1983 në Krujë dhe jeton në Venecia, Itali, me të dashurën e tij Giana. Indriti e ka ndjerë veten kuzhinier që kur ka qenë 8 vjeç, kur i kërkonte mamasë që të gatuante vetë drekën ose darkën në familje. Kur emigroi jashtë Shqipërisë, Indriti ndoqi një kurs 2 javor për gatimin në Venecia.
Pasioni i tij janë udhëtimet. Ka vizituar shumë vende të botës, nga të cilat nuk largohet asnjëherë pa marrë recetat tradicionale të vendit, duke e pasuruar çdo ditë e më shumë dijen e tij për gatimet e huaja.
Ai është i vendosur që të përfitojë nga çdo mundësi që i jepet që një ditë të njihet si Chef Indriti.
BLERI DERVISHI
(21 vjeç – Korçë)
“Kuzhina më e mirë në botë për mua është ajo e gjyshes sime”.
Bleri ka lindur më 22 tetor 1993. Ai jeton në Siena të Italisë prej 18 vjetësh, me prindërit dhe motrën e tij. Bleri e ka zbuluar pasionin e tij për kuzhinën që 11 vjeç, kur ndihmonte mamanë e tij, kuzhiniere. Më pas, kur prindërit punonin me orë të gjata, Bleri gatuante për motrën e vogël dhe dalëngadalë u bë kuzhinieri i preferuar i shtëpisë.
Bleri ka luajtur për 12 vjet futboll me të rinjtë e Sienës, por pasioni për gatimin e ka lënë në plan të dytë futbollin. Ai ka punuar si kamarier në restorante me yje Mishelin, dhe të ardhmen e shikon si shef i afirmuar.