Të punosh në një ambient me bashkëshortin/-en është një tematikë që shihet me skepticizëm nga pjesa më e madhe e shoqërisë, madje shpeshherë konsiderohet si një bashkëpunim që nuk të jep efikasitet në punë, por ja që nuk ndodh gjithmonë kështu. E kush më mirë se Delinda Disha, një nga aktoret më të komentuara dhe të pëlqyera të momentit, mund të na flasë rreth kësaj teme e të na provojë krejt të kundërtën.
E ftuar në ”Tempora” nga Sonila Meço, aktorja e humorit tregoi mbi përvojën e saj të punuarit me bashkëshortin.
Sonila Meço: ”Ne të dyja kemi një fatkeqësi të përbashkët, le t’ia themi publikut, ne të dyja punojmë me bashkëshortët. Kur të pyesin si është të punosh me burrin, duket sikur e kanë përgjigjen brenda. Dhe kur ti u shfaqesh natyrshëm duke u thënë që shiko se është mbështetje, është i rëndësishëm, sidomos për llojin e profesionit që kemi e të bëhet krah në atë që ti bën, kundërpërgjigjia e tyre është një fytyrë që hmm, ose nuk e kuptoke, qenke shumë naive, ose po më mashtron në këtë moment. Tani ta themi troç se jemi dy, si është të punosh me burrin Delinda?
Delinda Disha: “Mrekulli. Unë nuk e ndiej fare që jemi në një vend pune me Eldon. Eldo është kostumograf në ”Klanifornia”, dhe gjatë gjithë kohës jemi në diskutime, në debate, për të mirë të punës. E mira është se jemi që të dy energjikë. Thonë që tipat e njëjtë shtyhen, nuk tërhiqen, por me ne ka ndodhur një kimi tjetër, merremi vesh shumë mirë. E kuptojmë njëri-tjetrin dhe pa folur, na mjafton një shikim.”