Këngëtarja e njohur Soni Malaj ishte e ftuar ditën e sotme në emisionin “Rudina” ku foli rreth rikthimit pas 10 vitesh në një bashkëpunim me “Three Dots”. Bëhet fjalë për këngën “Versioni im”, me të cilën ajo konkurron në “Kënga Magjike”. Soni ka treguar se nuk kishte në plan të merrte pjesë në festival këtë vit, duke shtuar se kur kishte dëgjuar këngën ishte emocionuar dhe madje kishte qarë.
“Nuk e kisha fare ndërmend të merrja pjesë në “Këngën Magjike”. Ardit Gjebrea më thotë kam dëgjuar një këngë shumë të bukur dhe çunat e “Three Dots” mendojnë që këtë këngë e këndon vetëm Soni Malaj. Po mirë thashë ok e dëgjojmë, shkova në studio dhe filloi kënga. Nuk e di pse thoja që nuk do jetë për mua. Kur e dëgjova, fillova të qaj dhe më rridhnin lotët dhe Bruno më vendosi një top me facoleta.”
Më tej, Soni tregoi se ai që e goditi ishte teksti, të cilit ajo i kushton shumë rëndësi.
“Ishte e kënduar bashkë me tekst dhe më goditi shumë sepse ishte një këngë që kalonte në tre etapa, fillonte si baladë, kishte një ritëm të brendshëm dhe kishte një shpërthim në fund gjë që ma bëri shumë të dashur, nuk më la të mërzitem. Pastaj ajo që më goditi ishte teksti, për mua kanë shumë rëndësi tekstet, më pëlqeu që ishte një këngë që fliste për një lidhje toksike, pavarësisht se ishte një lidhje që kishte nisur nga një dashuri shumë e madhe.”