Revista prestigjioze MONITOR, e vetmja revistë profesioniste, ka bërë një sondazh për mediat televizive dhe të shkruara në Shqipëri. MONITOR ka eksperiencën dhe profesionializmin, të cilin nuk e ka asnjë institucion tjetër në Shqipëri. Revista ka publikuar të dhënat e mëposhtëme:
Konkurenca mes televizioneve sa vjen e forcohet dhe programet po pasurohen, në kontrast me tregun e reklamave që prej disa vitesh nuk po rritet.
Dy vitet e fundit (2016-2017) kanë qenë të vështirë, pasi kompanitë e telekomunikacioneve, që janë reklamuesit më të mëdhenj në vend po shkurtojnë vazhdimisht buxhetet.
Me përjashtim të televizionit Klan, që ka normë të lartë përfitueshmërie, fitimet e televizioneve mbeten minimale.
Top Channel (Vjollca Hoxha)
op Channel mbetet televizioni më i madh në vend sipas të ardhurave, me një xhiro të deklaruar prej 1.6 miliardë lekësh (rreth 12 mln euro), me një rënie të lehtë prej 3% në 2016-n. Numri i sekondave reklamë të transmetuara në 2016 ishte pothuajse i njëjtë me një vit më parë, rreth 3.8 milionë sekonda në total, sipas të dhënave nga Idra Media. Fitimet kanë rënë me shpejtësi në periudhën 2014-2016. Në vitin 2016, ato ishin vetëm 11 milionë lekë (normë fitimi më pak se 1%), nga rreth 141 milionë lekë në 2013-n, që ishte viti më i mirë i televizionit, si në drejtim të të ardhurave, ashtu dhe fitimeve.
Në vitin 2017, Top Channel ka rikuperuar lehtë aktivitetin, teksa sekondat e transmetuara janë rritur me 4.4%, sipas monitorimit të Idra Media.
TV Klan (Aleksandër Frangaj)
Televizioni i dytë më i madh në vend nga të ardhurat është TV Klan, me një qarkullim vjetor prej 1.2 miliardë lekësh në 2016-n (gati 9 milionë euro), me një rritje prej 16% në raport me një vit më parë, duke vijuar me zgjerimin e shpejtë për të dytin vit radhazi. Eptan Lohja, drejtor i marketingut të TV Klan, tha se rritja e shikueshmërisë dhe larmishmëria e programacionit janë arsyet që kanë ndikuar në zgjerimin e të ardhurave nga reklamat.
Edhe koha e reklamave të transmetuara u rrit, me 4.3 milionë sekonda në 2016-n, 21% më shumë se një vit më parë. Për herë të parë në vitin 2016, Klan transmetoi më shumë sekonda reklamë sesa Top Channel, por ky i fundit kryesoi në të ardhura për shkak të politikave të çmimit.
Klan është televizioni me përfitueshmërinë më të lartë në vend.
Fitimi para taksave arriti në 292 milionë lekë në 2016-n, më shumë sesa dyfishi në raport me një vit më parë dhe një normë kthimi (fitime para taksave/të ardhurat) prej 25%, duke u renditur ndër kompanitë më fitimprurëse në vend. Në raport me televizionet e tjera, Klan rezulton më eficient në menaxhimin e shpenzimeve dhe koston e prodhimit të produkteve të veta, teksa i jep hapësirë edhe telenovelave turke.
Në 2017-n, sekondat e publicitetit të transmetuara nga TV Klan ranë me 11.4%, pas politikës së televizionit për të mos negociuar më me ulje drastike tarifash, duke larguar disa klientë të vegjël. Por, Lohja pohon se kjo nuk ka ndikuar në të ardhurat, që kanë vijuar të kenë ecuri pozitive edhe në 2017-n. Ulja e sekondave të transmetuara është kompensuar nga tarifat më të larta të publicitetit.
Vizion Plus (Artan Dulaku)
I treti televizion më i madh në vend, sipas të ardhurave, është Vizion Plus, që ka parë stanjacion të të ardhurave në 470 milionë lekë (tkurrje 0.3%) në 2016-n, ndonëse sekondat e transmetuara u rritën me 11.7%, në 3.7 milionë, sipas të dhënave të Idra Media.
Fitimet mbeten minimale në 4.3 milionë lekë, ndërsa norma e fitimit është vetëm 0.9%.
Alma Paloka, drejtoreshë marketingu në Vizion Plus, pohon se në 6-mujorin e dytë 2017 është shënuar përmirësim i aktivitetit, si rrjedhojë e emisioneve të reja dhe futjes së Vizion Plus në platformat dixhitale. Znj. Paloka pohon se bizneset synojnë të ulin buxhetet e marketingut. “Të gjithë tentojnë të kursejnë”, pohon ajo.
TVSH (televizion publik)
Radio Televizioni Shqiptar (TVSH) kishte të ardhura nga reklamat prej 92 milionë lekësh në vitin 2016, me një rënie prej 6% me bazë vjetore, sipas
burimeve zyrtare. Në 2017-n, televizioni ka shënuar një ecuri më pozitive, teksa të ardhurat u rritën me gati 8% në 99 milionë lekë.
Elton Kadisi, drejtor marketingu në TVSH, tha se televizioni ka zgjeruar larminë e programacionit, duke synuar që të tërheqë vëmendjen e teleshikuesve. Në 2018-n do të transmetohen “Master Chef”, “Kampionati Botëror i Futbollit”, “Lojërat Olimpike”. Do të ketë dhe cikle dokumentarësh për Ambientin, Turizmin, dhe Mafian Shqiptare.
Gara e ashpër për lajmin e fundit në TV
Në një vend ku gjithçka rrotullohet rreth politikës e ngjarjeve të ditës, televizionet e lajmeve kanë fituar terren në vite. Brenda pak minutash, lajmet dhe pamjet për vrasjet apo aksidentet, apo deklaratat politike transmetohen në të gjitha televizionet informative.
Teksa synojnë që t’i rrëmbejnë audiencën njëra-tjetrës, duke u përqendruar dhe në formate talk show, sidomos në orët e mbrëmjes, ato po ndajnë një treg reklamash që vjen në tkurrje.
Pas rritjes së shpejtë, disa televizione informative kanë filluar të ndiejnë krizën e reklamuesve, teksa po konkurrohen fort nga mediat online, por edhe nga njëri-tjetri.
-Focus Media News, ku aktivitetin kryesor e ka televizioni News 24, raportoi rënie të ardhurash me 4%, në 260 milionë lekë në 2016-n, pas rritjes së ndjeshme të një viti më parë. Fitimet ishin minimale prej 748 milionë lekësh, me një normë kthimi prej vetëm 0.28%. Sekondat e reklamave të transmetuara ranë me 18% në 2016-n, për t’u rikuperuar në 2017-n, me një zgjerim prej 9.2%, sipas të dhënave nga Idra Media.
Vilma Mesareja, drejtoreshë marketingu e News 24, pohon se për vitin 2017, të ardhurat e Focus Media News (përfshirë News 24, Balkan Web, Radio Rash) janë rritur me 20%, ku ndikimin kryesor e ka dhënë televizioni. Ajo shton se kjo rritje e reklamave ka ardhur si rrjedhojë e shtimit të programacionit, që kanë tërhequr më shumë audiencë. Televizioni ka investuar edhe në përmirësimin e teknologjisë. Znj. Mesareja thotë se shkurtimi i buxheteve nga kompanitë e mëdha është kompensuar me kontrata më afatshkurtra (2-3-mujore) me biznese më të vogla.
-Ora News ka parë një rënie të të ardhurave me 17% në 2016-n, për të arritur në 188 milionë lekë. Edhe fitimet ishin minimale në 7 milionë lekë (normë 3.8%). Sekondat e reklamave të transmetuara kanë shënuar rënie për dy vjet radhazi (2016-2017), me përkatësisht 12 dhe 19%.
-Të ardhurat e ABC News u rritën ndjeshëm me 44% në 178 milionë lekë në 2016-n, pas tkurrjes me 6% vitin e mëparshëm. Televizioni raportoi fitime të larta prej 24 milionë lekësh (normë 13.6%) pas humbjeve të vitit të mëparshëm. Koha e reklamave të transmetuara u rrit me 54% në 2016-n dhe më tej, me 14.5% në 2017-n, sipas monitorimeve të Idra Media.
-Report TV, që filloi aktivitetin në 2015-n, pas ndarjes me Ai Report, ka katërfishuar të ardhurat në vitin e plotë të aktivitetit, në 116 milionë lekë.
-Televizioni me profil ekonomik Scan ka raportuar rritje të ardhurash me 26%, në 123 milionë lekë, teksa ka parë një rënie të fitimeve në 1.3 milionë lekë (normë 1%). Reklamuesi më i madh i këtij televizioni është Banka Credins.
-Fax News është një emër i ri, që i është shtuar segmentit të televizioneve të lajmeve në mes të vitit 2017. I pyetur se pse zgjodhi të investojë në një televizion lajmesh kur ka katër të tillë dhe tregu i reklamave është në ulje, Kasem Hysenbelliu, themeluesi dhe drejtori i përgjithshëm i Fax News, pohoi se e mori parasysh që në fillim që tregu i reklamave do të kishte tkurrje, për shkak të gjendjes së bizneseve. “Qëllimi dhe ideja ishte që unë të futesha në treg me një risk sa më të vogël.
Për këtë nuk krijova televizion të përgjithshëm, por informativ, ku shpenzimet janë më të vogla dhe më të kontrolluara. Lidhur me konkurrencën, Hysenbelliu është i qetë. “Që në fillim, jo vetëm që e kisha bindje, por studiova dhe tregun dhe konkludova se kishte vend vetëm për një media të pavarur, pa censurë e më profesionale.” Hysenbelliu synon që të nxjerrë vlerën e investimit për një periudhë 7-vjeçare.
Bombardimi me reklama në TV
Në mëngjes, përgjatë ditës, apo në orarin më të ndjekur të darkës, 8 televizionet kryesore kanë transmetuar për teleshikuesit rreth 21.8 milionë sekonda reklama në vitin 2017, sipas të dhënave të monitoruara nga Idra Media, me një rënie prej 2% në raport me 2016-n.
Top Channel është televizioni që ka transmetuar më shumë kohë publicitare, me 4 milionë sekonda, duke ia kaluar Klan, që mbizotëronte në 2016-n. Ky i fundit ka transmetuar 3.8 milionë sekonda reklamë.
Në vend të tretë, për nga koha e publicitetit të transmetuar renditet News 24, me 3.19 milionë sekonda, i ndjekur nga Vizion Plus (3.16 milionë sekonda) dhe ABC News (2.9 milionë sekonda).
Sektorët më të mëdhenj reklamues, sipas kohës së reklamave të transmetuara, vijojnë të mbeten telekomunikacionet, të ndjekura nga tregtia me pakicë, që në dy vitet e fundit ka shënuar rritje të ndjeshme, si rrjedhojë e zhvillimit të zinxhirëve të organizuar të supermarketeve. Më pas renditen televizionet (kryesisht reklamat e DigitAlb dhe Tring TV), të ndjekura nga dyshekët, ushqimet, produktet e kujdesit personal dhe kozmetikë.
Me rënie të lartë rezultojnë sekondat e transmetuara nga sektori i telefonisë së lëvizshme, me 30% më pak në 2017-n. Të gjithë operatorët celularë e kanë përdorur më pak televizionin për të reklamuar ofertat e tyre.
Kompania, reklamat e së cilës shfaqen më shpesh në televizionet shqiptare është operatori celular, Vodafone, me 2.2 milionë sekonda në 2016-n, sipas të dhënave të Idra Media, me një rënie prej rreth 7% me bazë vjetore.
Në vend të dytë është platforma televizive me pagesë Digitalb, me 1.13 milionë sekonda (rënie 10%). Një pjesë e konsiderueshme e reklamave të saj shkojnë në Top Channel.
Më pas renditet Telecom Albania, po me 1.13 milionë, që ka shënuar dhe rënien më të madhe të kohës reklamuese të transmetuar në televizion, me 44%.
Në vend të katërt është platforma tjetër televizive me pagesë, Tring, me një rritje prej 21% të kohës. Reklamat e kësaj platforme shkojnë kryesisht drejt Vizion Plus.
Në grafik, nga renditja e reklamuesve më të mëdhenj televizivë sipas sekondave, janë hequr kompanitë që shesin online në televizion, pasi, ndonëse zënë një pjesë të madhe kohore në transmetimet televizive, shpenzojnë pak para, teksa shfaqen në orare kur tarifat e transmetimit janë tepër të ulëta. P.sh., BCTV sipas bilancit të saj, në vitin 2016 ka shpenzuar gjithsej 21 milionë lekë (150 mijë euro) për reklama në televizione. Studio Moderna (Top Shop) ka shpenzimet rreth 60-70 milionë lekë në vit (rreth 500 mijë euro), që në vlerë janë shumë më të ulëta sesa buxhetet e marketingut të kompanive celulare.
——–
[1] Sipas monitorimeve të Idra Media, bazuar në çmimet zyrtare, reklamat në faqet e internetit vlerësohen 3.5 milionë euro, por nga kjo shumë është zbritur 30%, aq sa është mesatarisht zbritja që bëhet nga tarifat zyrtare.
Revista Monitor.
Shtypi i shkruar në Shqipëri
Periudhë të vështirë. Ai po konkurohet fort jo vetëm nga mediat online, që e përhapin lajmin brenda pak sekondave, por edhe nga njësitë online brenda gazetës së tyre.
Lexuesit tradicionalë po largohen gradualisht nga media e shkruar, reklamuesit po ashtu. Totali i sipërfaqes së reklamuar në median e shkruar në vitin 2017 (për 36 gazeta e revista) ra me 21% me bazë vjetore, sipas të dhënave të monitorimit nga Idra Media, duke shënuar të tretin vit radhazi me tkurrje dyshifrore.
Në bazë të monitorimeve të Idra Media dhe të dhënave nga bilancet e gazetave kryesore, të ardhurat nga reklamat e shtypit të shkruar vlerësohen më pak se 2 milionë euro në vitin 2017 , me një rënie vjetore prej të paktën 10%. Në krahasim me katër vjet më parë, tkurrja është e fortë, rreth 40%.
Vodafone, Albtelecom dhe Telekom Albania, që dikur ishin reklamuesit më të mëdhenj në median e shkruar, rezultojnë me një ulje të vazhdueshme të sipërfaqes së reklamuar në 2016-2017. Vodafone e ka reduktuar sipërfaqe e reklamuar me 37% në 2017-n, Albtelecom me 5%, ndërsa Telekom Albania pothuajse është “zhdukur” nga printi.
Credins është reklamuesi më i madh në 2015-2017 për nga sipërfaqja, sipas Idra Media. Por, më shumë se orientim i Credins drejt medias së shkruar, ky është vijim i kontratave të shkëmbimit të shërbimeve mes bankës dhe disa gazetave.
Reklamues të mëdhenj përveç, telekomunikacioneve, rezultojnë dhe biznese që janë më shumë mbështetje për mediat që bëjnë pjesë në të njëjtin grup (rasti i Birrës Korça me gazetën Panorama, apo Ferlut me Gazetën Ballkan, Abissnet te Shekulli etj).
Në bazë të të ardhurave, grupi më i madh i medias së shkruar është Panorama Group (me median kryesore gazeta Panorama, më e madhja në vend nga tirazhi, dhe Panorama Sport) me një qarkullim vjetor prej 276 milionë lekësh, duke shënuar rënie prej gati 5% me bazë vjetore.
Edhe media e dytë më e madhe në vend Unipress (Gazeta Shekulli dhe publikime të tjera të grupit) ka parë rënie të qarkullimit vjetor me 13%, në gati 95 milionë lekë.
Mediat e tjera kanë shënuar rënie dyshifrore të të ardhurave, sipas bilanceve të 2016-s. Me tkurrje kanë rezultuar, Shqiptarja.com, Gazeta Shqiptare, Sport Ekspres, Gazeta Dita. E vetmja me rritje rezulton Koha Jonë.
Menaxherët e shtypit të shkruar konfirmojnë rënien e ndjeshme të shitjeve. Gazeta më e madhe në vend (Panorama) ka zbritur nën 10 mijë kopje, ndërsa e dyta nuk ka tirazh më të lartë se 4 mijë kopje (gara mes Sot dhe Dita). Vitin e fundit është shënuar një rritje e shitjeve në Tiranë, që shpjegohet me zhvendosjen e popullsisë drejt kryeqytetit dhe rënie në rrethe, duke kompensuar njëra-tjetrën.
Shumë gazeta të printuara tashmë mbahen në treg për të mbështetur markën e tyre në versionin online.
Korriku 2016 shënoi dhe viktimën e parë të madhe të shtypit të shkruar, me mbylljen e gazetës “Shqip” në variantin e shtypur, duke mbajtur vetëm versionin online. Arsyet e këtij vendimi lidheshin me rënien e tirazhit dhe uljes së reklamave. Të dhënat zyrtare të bilancit flasin për një përgjysmim të të ardhurave në 2016 (-53% në 24 milionë lekë). Por, reduktimi i shpenzimeve me ritme më të larta, si rrjedhojë e kursimit në shtypshkronjë, ka bërë që “Shqip” të rezultojë me fitime 2 milionë lekë, nga humbjet prej 7 milionë lekësh në vitin e mëparshëm.
Redi Gjuzi, zv.kryeredaktor i gazetës “Panorama”, pohon se, edhe pse ka një diferencë të madhe profesionale, konkurrenca mes medias së shkruar dhe asaj online, duket se po sjell një zhvillim pozitiv.
“Sot, në krahasim me një vit më parë, më të fituarit janë lexuesit. Kjo ‘luftë’ e shtypit me vetveten dhe zhvillimin, ka bërë që, të paktën në rastin e ‘Panorama’, të kemi dyfish më shumë lexues në online, dhe fatmirësisht një ndalje të trendit rënës në shitjen e gazetës print. Përballja mes informacionit falas, dhe atij me pagesë ka bërë që të paktën të kemi më shumë shqiptarë që informohen”.
Gjuzi shton se për gazetarët e shtypit të shkruar mund të quhet viti i fundit i luftës për të ndaluar rënien. “Edhe pse media online po rritet me ritme të frikshme, fakti që media e shkruar nuk po i ul më tirazhet dhe shitjet, tregon se përballjes po i vjen fundi”. Në treg, duket se është gjetur mesatarja e artë për të dy ‘konkurrentët’”, pohon Gjuzi.
(Revista Monitor)