Gazetari Sokol Balla iku nga Top Channel duke e konfirmuar vetë këtë gjë naten e nderrimit të viteve, me një postim në Twitter ku shkruante: Sot rruget ndahen këtu me Top Channel.
Por një ditë me pas, i është pergjigjur Vjollca Hoxha, pronarja e Top medias, ku në nje shkrim postuar edhe ne faqen e webit te Top Channel, shkruhet:
“Natyrisht që ikja e Sokol Ballës është një goditje, por nuk është fundi. Ka plot të tjerë në tregun mediatik që mbushin boshllëkun e krijuar, bile edhe mund të jenë më të mirë. Kjo nuk do të thotë se Sokol Balla nuk është gazetar VIP dhe me një zgjuarsi e nuhatje te lindur për gazetar. Por nuk u shemb Roma se iku Koli”.
Shkrimi i publikuar në portalin folshqip.al
Top Channel, Vjollca Hoxha dhe sulmet klanore të klanëve të pushtetparasë.
Mu Natën e Vitit të Ri, si për t’ja prishë darkën e ndërrimit të viteve, Vjollca Hoxhës dhe Top Channel, si një hakmarrje e ftohtë për shkarkimin nga drejtor lajmesh, Sokol Balla njoftoi me ca radhë se rruga me Top Channel tashmë ndahet përfundimisht.
Krisja e Sokol Ballës me Vjollca Hoxhën erdhi pas emisionit në shtëpinë e Saimir Tahirit, për të cilin pati kritika të shumta nga publiku. Në fakt ajo intërvistë ishte si një qokë e Ballës për ish-ministrin, ndonëse në publik u interpretua si një porosi e Edi Ramës ndaj Vjollca Hoxhës, pronare e vetme e Top Channel. Sokol Balla u shkarkua nga drejtor informacioni në Top Channel, ndërsa mbrëmë në mesnatë, kur ishte shtruar sofra e Natës së Vitit të Ri, Balla, hodhi me atë pjerrtësinë e shikimit televiziv, një bombë si punë fishekzjarri festiv, por në të vertetë që theu disa dritare të Top Channel. Iku edhe nga Top Story.
Informacione mediatike dhe portalesh, për largimin e tij, kishin dalë më përpara nga burime mediatike klanore apo që tirreshin në një televizion tjetër, i cili e do të vdekur Top Channel. Pasi mposhtën dhe vdiqën gjigandin televiziv kombëtar RTSH (këtu ka faj edhe vetë Top Channel që heshti, kur varrosej TVSH); tashmë synimi mbetet kalaja Top Channel.
Top Channel është realisht televizioni më i madh kombëtar. Ai lindi si një dritë e re radiotelevizive, por lindi në mes të luftës mediatike dhe politike, dhe si i tillë kishte mision informimi të paanshëm. Top-i lindi si një shpresë informative dhe investigimi për shoqërinë. Atë e krijoi Tani i Top-it, e lindi si televizion të publikut ose në një farë mënyre për të qenë me publikun e jo me qeveritë. Pra televizion me mision e detyrë opozitare ndaj kujtdo që shkel ligjet dhe dhunon shoqërinë.
Vjollca Hoxha ndodhet mes një stuhie të krijuar nga kundërshtarët televizivë, pavarësisht se i japin dorën, por nën dorë e buzëqeshje kanë thikën e pabesisë së konkurencës. Deri diku janë normale brrylat nga konkurenca në një botë pushteti radioteleviziv, ku ndërthuren shumë interesa jo vetëm profesionalizmi. Por nuk është thjesht një konkurencë profesioni, po të ishte kështu do ishte deri diku normale. Janë interesa pushteti, oligarkish, miliardash dhe grupesh ekonomiko-mediatike të cilat ndodhen të ngërthyer me njëmijë fije interesash me pushtetin e radhës. Top Channel, ndonëse me deviacione të pjesshme, por ka qëndruar ashtu siç është krijuar TOP ndaj pushtetit.
Top Channel është një Perandori mediatike. Duan ta thërmojnë nga pak e përditë, me kujdes e djallëzi. Përballë ka media të tjera që marrin para nga pushteti, bile marrin qindra milionë dollarë në forme lejesh ndërtimi, investimesh, PPP, zona turistike, hotele e gjithçka prodhon pushteti ekzekutiv ndaj pushtetit të medias. Top Channel nuk besohet se ka marrë apo përfituar gjëra të tilla, të paktën do të ishte bërë publike nëse do kishte futur dorën Vjollca Hoxha në thesin e qeverisë, siç bëjnë pala përballë e Top Channel. Nëse i kanë dhënë si Bashki e Tiranës ca kioska shtypi apo për shitje cigaresh nëpër Tiranë, është një tallje me shumë se ndihmë për të mbajtur një gjigand televiziv si Top Channel. Top-i ka ndërtuar vetë një ndërtesë me kredi e me halle dhe po paguan për zyrat e reja televizive, ndërkohë që mediat e tjera televizive, pothuaj të gjitha, kanë marrë qyl nga qeveritë toka, prona, zyra, etj. Top Channel ka gërmuar shpirtin e tij për tu mbajtur gjallë dhe fort në këtë botë televizive dhe kur kryeministri Rama është kthyer në të vertetë, siç thoshte Ylli Rakipi, në një kryeredaktor të mbi 85 përqind të mediave shqiptare.
Kjo është e frikshme!
Ndaj Top Channel është përballë televizioneve të tjera të cilët kanë shumë para, prona, me shumë mbështetje pushteti ekzekutiv, bile janë bërë njësh. Vjollca Hoxha si “perandore” e Top Channel ka përballë edhe qeverinë, edhe kryeministrin e rradhës, i cili vjen nga media dhe ia di se ku duhet shpuar me trapan për ta sakatuar median e cila nuk nënshtrohet apo nuk bëhet pjesë e oligarkisë se madhe që ka kapur këtë vend.
Top Channel ka një zgjidhje; sulm dhe zbardhje të vertetave të pushtetit, por edhe të konkurentëve të mbushur me para pushteti.
Natyrisht që ikja e Sokol Ballës është një goditje, por nuk është fundi. Ka plot të tjerë në tregun mediatik që mbushin boshllëkun e krijuar, bile edhe mund të jenë më të mirë. Kjo nuk do të thotë se Sokol Balla nuk gazetar VIP dhe me një zgjuarsi e nuhatje te lindur për gazetar. Por nuk u shemb Roma se iku Koli.
Vjollca Hoxha ka nevojë të tregohet e shpejtë, jo vetëm për këtë ikje, por edhe për lajmet, pasi ndonëse është një gazetar i mirë ai që drejton sot lajmet. Lajmet duan një ikonë profesionializmi dhe kurajo meditiake, që kur të dal sigla e lajmeve Top Channel ministrat apo kryeministri të vrapojnë për të kapur lajmet dhe të rrijnë me zemër në dorë. Sa me shumë “infarkte” qeveritare krijon Top Channel aq me shumë e do publiku, aq me fortë kthehet Top-i si në kohën e Tanit të Topi-t (marrë nga www.folshqip.al)
A.M.