Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka ngritur një padi kundër redaktorëve të gazetës Greke “Dimokratia” mbi titullin e faqes së parë të gazetës të premten që shkoi.
Lajmi kryesor në faqen e parë të gazetës “Demokratia” të premten mbante një ofendim në gjuhën turke ndaj presidentit Erdogan: “Siktir git Mr. Erdogan” dhe te fotoja e presidentit turk ishte dhe mbishkrimi “F*ck you”.
Të premten, ambasadori grek në Turqi u thirr për shpjegime mbi këtë çështje, siç u njoftua nga Ministri i Jashtëm i vendit, Mevlüt Cavusoglu.
Ministria e Jashtme Greke e kishte dënuar botimin me një deklaratë duke nënvizuar sa vijon: “Liria e shprehjes dhe liria e shtypit janë plotësisht të garantuara në Greqi. Ky fakt nuk e mohon detyrimin për të abstenuar nga fyerjet ndaj ndonjë personi, aq më tepër ndaj udhëheqësve të huaj. Përdorimi i shprehjeve fyese është e dëmshme për kulturën politike të vendit tonë dhe e dënueshme”.
Konflikti turko-grek vijon prej kohësh për kufirin detar në Mesdheun lindor, ndërsa as ndërhyrja e NATO-s për të ulur palët dhe tentativat nga SHBA dhe Gjermania nuk kanë mundur që të ulin tensionet mes dy vendeve.