Einxhel Shkira dhe Ilir Shaqiri kanë patur vazhdimisht debate në shtëpinë e “Big Brother VIP”. Madje, gjatë javës moderatorja gjykoi lojën e Ilirit, duke kujtuar se ai “tregoi gruan dhe dashnoren për lojë”.
Lidhur me këtë, ata debatuan ashpër në spektaklin e sotëm. I acaruar si asnjëherë më parë, Iliri e quajti “fallxhore” që merret me jetën e tij private.
“Mendimi yt është ordiner, dhe gruan dhe vajzën time mos i zër më në gojë, shpëlaje gojën mirë para se t’i përmendësh”, tha balerini.
Madje, e quajti edhe “avokate të Donaldit”, gjatë debatit, duke i sqaruar edhe se për faktin se ka një karakter llafazan dhe provokues, e ka mbajtur larg.
Nga ana tjetër, Einxhel tha se ai e ofendonte rregullisht. “Je mosha e babait tim”, tha moderatorja, e prekur edhe nga fjala “Të masakroj”, që u duk si një kërcënim. Mirëpo, koreografi, sqaroi se vetëm verbalisht e kishte fjalën, ndonëse u komentua nga të gjithë si frazë shumë e rëndë.