Festivali i Këngës në RTSH kish mbetur mbase streha e fundme e vlerave ku bashkoheshin muzika, zërat dhe tekstet. Ndër vite ai ka qëndruar larg elementëve banalë a të sikletshëm, fjalorit të rrugës, termave fyes, që shumëkush i ka përdorur nëpër spektakle qoftë për të tërhequr audiencë, a qoftë se sipas tyre “populli atë do”. Festivali i RTSH-së i kishte qëndruar larg kësaj rryme tërheqëse e mbytëse, edhe sepse ai ka një traditë që nuk mund ta shkelë/anashkalojë, ose edhe pse si transmetues publik, në pikën 1 të nenit 2, të statutit të tij thuhet: “Neni 2. 1.. Si një OSHMA (Ofrues shërbimi mediatik audioviziv) i përkushtuar ndaj idealeve më të larta të transmetimit të shërbimit publik kombëtar, RTSH-ja realizon shërbime cilësore radioje dhe televizioni për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun, duke i shërbyer kombit, të gjitha grupeve të shoqërisë, përfshirë dhe pakicat kombëtare”.
Mandej, në pikën 3 të po këtij neni shënohet: “RTSH-ja realizon programe, të cilat duhet të pasqyrojnë te dëgjuesit dhe shikuesit e të gjitha moshave larminë e jetës shqiptare. RTSH-ja përgatit programe cilësore e me vlera për pasurimin e botës mendore dhe shpirtërore të njerëzve”. Të premten në mbrëmje, në natën e tij të parë, në skenën e Festivalit(edicioni i 54-rt) u ngjit një aktor i cili imitoi një fenomen social/personazh social të quajtur Serial (personi në fjalë “këndon” por nuk është artist i mirëfilltë, madje as nuk e pretendon). Përveç tekstit të këngëve ‘të tij’, ka qenë edhe komunikimi që ai pati me Pandi Laçon, skenarist dhe prezantues i festivalit, që ka ngjallur reagime të shumta te publiku që e ka ndjekur. Në mos asgjë tjetër, përdorimi i termave ‘me r..b shpie’, ‘supërpjeshkë” etj.
në një transmetim të drejtpërdrejtë të një televizioni publik që mbahet me paratë e taksapaguesve, nuk ishte ajo që pritej – në mos për asgjë tjetër, për faktin e thjeshtë se ky televizion ka për mision edhe edukimin, jo vetëm informimin. Mbi të gjitha, nga nata e parë, nuk u kuptua qartësisht nëse ishte vetë personazhi i ftuar apo një imitues i tij, nuk u kuptua që po ironizohej arti i panivel. Përkundër kësaj, ndjekësit besnikë të këtij konkurrimi këngësh u irrituan së tepërmi për atë çfarë panë.
“GSH” ka kërkuar të dijë dje nga zëdhënësja e Festivalit të RTSH-së nëse personazhi i shfaqur ishte aktor apo vetë Seriali (‘këngëtari’-personazh social), cili ishte qëllimi i ftesës së këtij personazhi, dhe nëse është normale sipas tyre përdorimi i termave ‘me r..b shpie’ në një transmetim të tillë. Përgjigjja ishte pak a shumë kjo: “Ishte një aktor që e imitoi, ishte për të bërë humor”. Sido të jetë, edhe humori e ka një filtër, një cak a një kufi deri ku shkon. Ndër kritikat po citojmë një syresh: “Të bësh humor me paratë e shqiptarëve përmes një antimodeli, nuk e sulmon dot antivlerën, por e sponsorizon atë…”
Përtej natës së parë, violinisti i njohur Shkëlzen Doli është i ftuari special i natës finale, ku do të interpretojë para publikut shqiptar kolazhin “Arbëreshës sime”, orkestruar nga Gerto Druga. Anëtarët e jurisë janë Olta Boka, Françesk Radi, Jehona Sopi, Pirro Çako, Helidon Haliti, Ilirian Zhupa dhe Alban Nimani. Festivali i Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, është festivali më i vjetër i muzikës së lehtë në Shqipëri dhe i pari ku këngët janë sjellë për publikun drejtpërdrejt gjatë netëve të zhvillimit të tij. Prej këtij festivali që nga viti 2004 ka dalë edhe kënga që përfaqëson Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës. Vitin e kaluar Shqipëria u përfaqësua nga Elhaida Dani me këngën “I’m Alive”.
Biseda ne skene mes ‘Serialit’ dhe skenaristit e prezantuesit Pandi Laço
“Seriali” futet në skenë dhe Pandi Laço i thotë që, nuk je i mirëpritur, pasi këtu duhet të ketë etikë. Ndërkaq, Seriali ngulmon të këndojë, pasi do që të shkojë në Eurosong.
Pandi Laço: Nuk mund të këndosh në këtë skenë, se këtu zgjidhet këngëtari që shkon në Eurosong.
“Seriali”: Pse të mos shkoj unë përderisa ka shkruar Konçita?! Edhe ajo Naçu si ne është. Me rob shpie, do shkoj unë.
Pandi Laço: Këtë fjalë, për të respektuar këtë publik dhe ata që na ndjekin, nuk duhet ta përdorësh.
“Seriali”: Nuk e them më, me rob shpie.
(Ai këndon “këngën” e tij)
Pandi Laço: Unë nuk e di se çfarë do të bësh ti në këtë skenë, por po të them një gjë.
“Seriali”: Urdhëro.
Pandi Laço: Me rob shpie do të të kap me shkelma. Ik tashti.
“Seriali”: Hajde, hajde Kozeta ime. Të du fort, me rob shpie.(Ikën)
Marrë nga BalkanWeb