Me 350 mijë lekë të vjetra mund të blesh “banesën e fundit” dhe pa e kuptuar njeri që brenda varri është bosh. Fiks Fare denoncoi skandalin me zë e figurë në varrezat e Tufinës, në Tiranë, duke sjellë fakte sesi bashkëpunojnë punonjësit, të cilët kanë rrethuar vende, duke i kamufluar si varre, por që në të vërtetë janë bosh dhe u jepen atyre që paguajnë bakshish.
Në adresën e Fiks Fare mbërriti një video nga një qytetar, i cili tregonte dhjetëra varre të rrethuara, madje edhe me emra sipër, por që ishin bosh. Këto vende ishin shitur nga punonjësit e përgjegjësit e varrezave, duke i kamufluar si varre të vërteta.
Pas këtij informacioni, gazetarët e Fiksit kontaktuan me një punonjës të varrezave të Tufinës, i cili tregoi se në varreza ka vende të rrethuara me beton si varre, të cilat janë bosh, por kundrejt ryshfetit janë blerë nga qytetarë të ndryshëm. Edhe bashkëpunëtori i Fiksit u hoq sikur donte një vend për varr. Punonjësi i varrezave ia merr përsipër gjetjen e vendit, por për këtë ai duhet të paguante 350 mijë lekë të vjetra. 300 mijë lekë ishin për vendin dhe 50 mijë lekë për vendosjen e një kornize betoni për t’i dhënë formën e një varri. Lekët, sipas punonjësit, nuk i donte vetëm për vete, por për shefat.
Për ta bërë edhe më të besueshëm varrin, sipër do i vendosej edhe një emër i sajuar. Punonjësi i varrezave i tregon një vend që sapo e kishte rrethuar bashkëpunëtorit të Fiksit. “Sot në mëngjes e rrethova atë (varrin). Mbyll muhabetin se dhe burri huaj do lekët, më tha dhe sot nëse është dakord me çmimin të vij nalt” shprehet punonjësi, duke iu referuar se njëri prej shefave donte pjesën e tij të pagesës. Në këto kushte bashkëpunëtori i Fiksit i lë kapar 50 mijë lekë të vjetra, edhe pse punonjësi i varreve nuk është i kënaqur me këtë shumë. “Mos ma lë varur këtë muhabet, se mua më ngusin të tjerët për paret” shprehet punonjësi. Madje ai tregon se dikush tjetër që kishte blerë një vend për varr i kishte kërkuar ulje çmimi.
“Ulje nuk bëj, se ato 5 lekë që janë për mua dua t’i marr. Të pres një, dy ja tre muaj, por ulje nuk ka” i thotë ai. Të dyja palët bien dakord të marrin dy vende për varre me çmimin prej 350 mijë lekë një vend, në total 700 mijë lekë të vjetra.
Në takimin e dytë që bashkëpunëtori i Fiksit ka me punonjësin e varrezave të Tufinës, ky i fundit i tregon një varr të dytë, të cilin e ka blerë dikush tjetër, por që blerësi e kishte ndërruar si vend. Punonjësi i varreve pohon se do flasë me shefin e tij për ta marrë vesh më saktë nëse vendi është apo jo i lirë dhe më pas do e njoftojë. Madje ai shton se nëse do binin dakord për vendin e përgjegjësi do të jepje “ok”, do i bënte një kornizë të bardhë për t’u kuptuar që ishte tamam varr. Por fjala e fundit ishte e përgjegjësit dhe çfarë të vendoste ai do të bëhej. “Unë do të marr në telefon direkt sa të më japi ai ‘ok’, por nuk do flas gjatë në telefon. Ose do të them duku nesër ose shkurt ma la atë makinën kaq lekë” shprehet punonjësi i varreve.
Në takimin e tretë midis palëve, punonjësi varreve edhe për vendin e dytë të rezervuar kërkon paradhënie. Edhe për këtë vend ai merr 50 mijë lekë të vjetra kapar, duke i kërkuar bashkëpuntorit të Fiksit ta likujdojë sa më shpejt edhe me pjesën e mbetur prej 300 mijë lekëve të vjetra. Më pas ai i shpjegon se edhe me këtë vend do të ndiqej e njëjta procedurë si me vendet e tjera, do t’i vihet korniza dhe për ta bërë edhe më të besueshëm i kërkon të zgjedhë edhe një emër për ta vendosur në pllakën e varrit.
“Më thuaj edhe çfarë emri se një emër e do, një emër kot duam. Po s’e gjete ti, do ia vë unë” shprehet punonjësi i varrezave. Me dorëzimin e kaparit filloi dhe nisja e punimeve për varrin e dytë, duke rënë dakord që në datën 22 shkurt do paguhej edhe pjesa tjetër e lekëve. Pasi sipas punonjësit të varrezave nëse nuk likujdoheshin lekët varri do shitej. Gazetarët e Fiks Fare shkuan në varrezat e Tufinës për të parë dy vendet e varreve të rezervuara. Vendet ishin gati, madje të rrethuara edhe me një kornizë betoni. Gati për “dorëzim”, kundrejt ryshfetit prej 700 mijë lekësh në total.