Emri i producentit Alberto Tarallo është kudo në mediat italiane. Ai po cilësohet si “Lucifer” ose “Djalli i portës së Ares”, duke iu referuar kompanisë së tij AresFilm.
Çfarë u tha në Grande Fratello VIP
Aktorja Adua Del Vesco gjatë një bisede me aktorin Massimiliano Morra, të dy konkurrentë në “Grande Fratello VIP”, tregoi për përvoja traumatike në të kaluarën. Në një pjesë ajo përmend buzëqeshjen karakteristike të Tarallo-s dhe thotë: “Ishte një kohë kur e shihja në ëndërr, ai më përqafonte me atë buzëqeshjen e tij dhe më ngulte thika në shpinë.”
Detajet u bënë më shokuese kur të dy përmendën ndarjen nga jeta të skenaristit Teodosio Losito, i cili kreu vetëvrasje në janar të 2019-s. Losito ishte partner në biznes dhe në jetë me Alberto Tarallo-n.
Teksa bisedojnë, Morra dhe Del Besco thonë se kanë dëgjuar hipoteza të ndryshme dhe nuk mendojnë se është vetëvrasje e mirëfilltë. Adua shton se më tepër se vetëvrasje, është “nxitje për vetëvrasje”.
Çfarë dihet për Alberto Tarallo-n
I lindur në vitin 1953, Alberto Tarallo deputoi në ekran në vitin 1973 në “Rugantino” ku luante rolin e një modeli që pozonte për një skulptor. Më vonë, ai u bë i njohur në rolin e “transvestitit*” të cilin e paraqiti në disa filma.
*Shënim shpjegues për termin “transvestit”: Transvestizmi është praktikë e veshjes dhe sjelljes në një stil që tradicionalisht lidhet me gjininë e kundërt. Në disa kultura, transvestizmi praktikohet për arsye fetare, tradicionale dhe ceremoniale. Megjithatë në rrjedhën historike, personat transgjinorë u quajtën transvestitë dhe u panë si njerëz me çrregullime mendore, ndaj termi u bë diskriminues. Në ditët e sotme, personave që vishen si gjinia e kundërt për arsye artistike, fetare, ceremoniale etj. u referohemi si “cross-dresser”.
Tarallo drejtoi L’Alibi, një klub historik homoseksualësh në Romë për pak kohë. Në vitet ’80 nisi të merrej me prodhimet televizive dhe më pas u bë agjent.
Tarallo njihet si themeluesi i AresFilm, një kompani produksioni e cila dështoi dhe u mbyll në fillim të vitit 2020. Me AresFilm janë të lidhur disa prodhime të suksesshme italiane, si “Il Bello delle Donne”, “L’Onore e il Rispetto”, “Il Peccato e la Vergogna”, “Furore: Il vento della speranza e Pupetta”. Falë agjencisë Tarallo, disa aktorë fituan popullaritet, duke përfshirë Gabriel Garko, Eva Grimaldi dhe Manuela Arcuri.
Çfarë po thuhet në rrjet
Fill pas kësaj, nëpër media të ndryshme italiane, producenti po cilësohet si Lucifer (djalli), i cili detyronte aktorët që menaxhonte të vepronin siç ai i urdhëronte, në të kundërt përballeshin me kërcënime dhe pasoja të rënda. Nëpër artikuj të mëparshëm, të sjellë në vëmendje tani, ai cilësohet si “njeri inteligjent dhe i paskrupullt”. Çfarë e bën akoma më të dyshimtë situatën, aktori Gabriel Garko, që menaxhohej më parë nga AresFilm, deklaroi tërthorazi se është gay. Pak kohë më parë, ai deklaroi edhe moshën e vërtetë. Kujtojmë se raporti i tij me Eva Grimaldi-n ka qenë një nga historitë më të përfolura në showbizin italian. Dje, Garko deklaroi që është gay, ndërkohë që në maj të një viti më parë, Eva u martua me partneren e saj, aktivisten Imma Battaglia.
Të intervistuara nga Dagospia, edhe aktore të tjera si Nancy Brilli dhe Giuliana De Sio kanë konfirmuar mjedisin toksik që mbizotëronte në AresFilm. Të dyja thanë se u këshilluan nga kompania që të mashtronin duke u hequr sikur fejoheshin me aktorë të njohur.
Një tjetër detaj shokues
Ndër të tjera, thuhet se aktorët Adua dhe Massimiliano, si shumë të tjerë, kanë qenë pjesë e një sekti ku shumë personazhe të njohur janë përfshirë dhe historia pretendohet se ka dalë padashje nga Mediaset, gjë që i detyroi të “fusnin në lojë” Gabriel Garko-n në mënyrë që vëmendja të përqëndrohej diku tjetër.
Referuar shumë komenteve online, “homoseksualiteti i Gabriel Garko-s nuk ishte diçka që nuk dihej”, ndaj në këtë rast thjesht u përdor. “Aktrimi më i keq që kam parë”, “I bukur ky episod i ‘L’onore e il rispetto'”, “Kush është ai që qan pa lot?” janë disa prej komenteve që ironizojnë fjalimin e aktorit duke e cilësuar si gënjeshtër mediatike.
Aktori Lorenzo Crespi postoi në Twitter duke thënë se “Adua ka një histori të trishtë, të tmerrshme, të vërtetë” e cila përfshin shumë njerëz, që nga vitet ’80.
Ç’pritet të ndodhë
Mediat sugjerojnë nisjen e një hetimi ndaj producentit dhe sektit në fjalë dhe ndërkohë pritet që moderatori Alfonso Signorini të thellohet më shumë te historitë e Del Vesco-s dhe Massimiliano Morra-s, aktorët që nëpër rrjet po cilësohen si “ata që prishën paktin e heshtjes”. Por kjo mund edhe të mos ndodhë.
Mes emocioneve, Gabriel Garko rrëfen se është gay në Grande Fratello Vip
- Për realizimin e artikullit u përdorën pjesërisht informacione nga Vanity Fair Italia, Rolling Stones Italia, Il Fatto Quotidiano, Dagospia, Donna Pop dhe komentet në @trash_italiano.