Ndeshja e mbrëmshme mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila përfundoi me humbjen e kombëtares sonë me rezultatin minimal 0 me 1, është bërë objekt diskutimi kudo në rrjetet sociale. Nuk ka mjaftuar vetëm entuziazmi kuq e zi në stadiumin e Genovas, si një shumicë absolute, edhe pse me humbje.
Kjo ndeshje nuk ka qenë e parashikuar nga Federata Europiane e Futbollit “UEFA”, dhe si pasojë nuk ka patur shitje të të drejtës së transmetimit televiziv direkt nëpërmjet rregullave të saj. Të drejtat e transmetimit janë cilësuar nga fedarata italiane, dhe ajo përveç “RAI-t” në Itali i ka kaluar ekskluzivitetin federatës shqiptare për shpërndarjen e të drejtave të transmetimit për territorin shqiptar. Por, këtë radhë ka ndodhur diçka vërtet e pazakontë. “RTSH”, si kanal publik ka të drejtë të jap çdo ndeshje të kombëtares, por federata i ka kaluar të drejtën vetëm platformës “DigitAlb”, duke mos i dhënë asnjë të drejtë kanalit publik për transmetim. Pavarësisht lutjeve që “RTSH” ka bërë, qëllimi nuk është arritur dhe aferat janë realizuar një për një.
Por, nuk thonë kot që zoti shikon. Për rreth 27 minuta “DigitAlb” pati probleme me transmetimet satelitare për shkak të motit të keq, duke lënë të gjithë shqiptarët në një errësirë historike të ndeshjeve të kombëtares, të detyruar të ndjekin ndeshjen me koment italian.
IMA / S. Dema