Bashkia e Fierit njofton qytetarët se do të nisë kufizimet me furnizimin me ujin e pijshëm. Një njoftim në kufijtë e skandalit, që për shumë fshatra të Fierit do të thotë 1-2 orë në 24 orë ujë të pijshëm, pasi furnizimi i tyre është një orë paradite dhe më pak se 2 orë pasdite. Në stinën e verës, kufizimet janë edhe më të mëdha. Ndërkohë që disa fshatra nuk marrin fare ujë nga Bashkia dhe banorët furnizohen nga puset e hapura privatisht.
Për të mos folur për cilësinë e ujit që është i papërdorshëm për t’u pirë, pasi të gjithë qytetarët e Fier ujin që konsumojnë e blejnë ose nga botet ose në markete.
Bashkia njofton në faqen e saj në “Facebook” se ky kufizim vjen për të kursyer energjinë dhe për të mos rritur çmimin e ujit.
“📌Njoftim
Të nderuar qytetarë!
Jemi duke përjetuar një situatë të vështirë energjetike, e cila ka përfshirë të gjithë rajonin. Kjo situatë na prek të gjithëve. Secili prej nesh duhet të limitojë konsumin e energjisë në punë e familje, pasi çdo kë i kursyer vlen në këtë kohë. Për ketë arsye edhe Ujësjellës Kanalizime Fier, në bazë të një plani të mirëmenduar dhe të mirëstudiuar, për të kursyer energji, por edhe për të mos rritur çmimin e ujit si efekt të krizës energjetike do të nisë aplikimin e kufizimit e furnizimit me ujë deri në përmirësimin e situatës.
Shpresojmë në mirëkuptimin tuaj, gjithashtu edhe që kjo situatë të kalojë sa më shpejt. Faleminderit!”, njofton Bashkia e Fierit.