Këngëtarja me famë botërore, Bebe Rexha, ka përjetuar një incident të papritur dhe të pakëndshëm në Aeroportin e Mynihut, ku është përballur me kërcënime nga një anëtar i sigurimit të aeroplanit vetëm pse i ishte drejtuar në gjuhën shqipe.
Sipas një videoje të publikuar nga vetë artistja në Instagram, ajo kishte menduar se anëtari i sigurimit ishte shqiptar dhe për këtë arsye i kishte folur në shqip. Megjithatë, reagimi i sigurimit ishte i papritur dhe agresiv, duke e kërcënuar atë dhe duke tentuar ta largojë nga fluturimi.
Lajmi për këtë incident ka ngjallur reagime të forta në komunitetin shqiptar dhe ndërkombëtar, duke ngritur shqetësime për një akt të mundshëm diskriminimi dhe urrejtjeje ndaj Bebe Rexhës për shkak të identitetit të saj etnik.
E lidhur me këtë ngjarje, Telegrafi ka kontaktuar kompaninë gjermane të fluturimeve ‘Lufthansa’, me të cilën Bebe Rexha po fluturonte atë ditë. Përfaqësuesit e kompanisë kanë deklaruar se janë në kontakt me këngëtaren dhe kanë nisur një hetim të brendshëm për të sqaruar situatën.
“Ne kontaktuam drejtpërdrejt Bebe Rexhën të shtunën për të kuptuar situatën dhe jemi duke kryer një hetim të brendshëm mbi çështjen. Si një linjë ajrore ndërkombëtare, ne lidhim njerëzit dhe vendet në mbarë globin. Diversiteti dhe mundësitë e barabarta janë vlera thelbësore për kompaninë dhe kulturën tonë korporative. Ne nuk tolerojmë asnjë lloj sjelljeje diskriminuese,” deklaroi Lufthansa për Telegrafin.
Në përgjigjen e tyre, Lufthansa sqaroi gjithashtu se Bebe Rexha ka hipur në fluturim në kohë dhe ka arritur në destinacionin e saj pa ndonjë pengesë të mëtejshme. Sipas kompanisë, ekziston gjithmonë një kontroll sigurie paraprak për të gjithë pasagjerët që nisen për në ShBA dhe Kanada nga Aeroporti i Mynihut, i cili kryhet nga një kompani sigurie. Duket se konflikti ka lindur gjatë këtij kontrolli.
“Bebe Rexha duket se u mërzit me njërin nga këta punonjës të sigurisë,” shtoi Lufthansa, duke nënvizuar se përkundër incidentit, këngëtarja ka fluturuar normalisht dhe ka arritur në destinacionin e saj pa vonesa.
Incidenti ka ngjallur një valë mbështetjeje nga fansat e këngëtares dhe komuniteti shqiptar, të cilët kanë shprehur shqetësim për trajtimin e saj në aeroport. Ndërkohë, Lufthansa ka premtuar se do të kryejë një hetim të plotë për të kuptuar më mirë situatën dhe për të marrë masat e nevojshme për të shmangur incidente të ngjashme në të ardhmen.
Ky incident mbetet një ngjarje e rëndësishme që ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik, dhe pritet që hetimet e mëtejshme të hedhin më shumë dritë mbi atë që ka ndodhur dhe nëse do të ketë pasoja për personat e përfshirë.