Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se ka filluar të shqyrtojë masa të reja për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të koronavirusit.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se mbyllja e kufijve dhe kufizimi i lëvizjes në zonat më të prekura me COVID-19 janë dy nga masat të cilat janë duke u shqyrtuar, por shtoi se gjithçka varet nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend.
“Masat si mbyllja e kufijve, kthimi i personelit shëndetësor në pikat kufitare, kufizimet në numrin e pjesëmarrësve në takime të ndryshme, kufizime të lëvizjeve në zonat më të prekura dhe disa të tjera janë masat e radhës, në shqyrtim, varësisht nga vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend”, tha Zemaj.
Ai theksoi se mbyllja e plotë e vendit mbetet opsioni i fundit.
“Shteti dhe qytetarët nuk e meritojnë të kthehemi aty ku ishim para 6 muajve, për arsye të neglizhencës së pakicës. Ajo çfarë pritet dhe patjetër duhet të ndodh është që organet e rendit dhe zbatuesit e ligjit të jenë rigorozë sa i përket implementimit të ligjit dhe vendimeve të Qeverisë përkitazi me menaxhimin e Pandemisë. Menjëherë do të ndërmarrim masa kufizuese në çdo situatë, ku konstatojmë raste të rritjes së rasteve, që duket se po ndodh”, tha ministri.