Pjesë e rregullave anti-Covid në vendin tonë është edhe mbajtja e maskës e detyrueshme në të gjitha mjediset e mbyllura. Por tani që do të hapen ambientet e brendshme të bar-eve dhe restoranteve, a do duhet ta mbajmë maskën?
Maskat nuk do të jenë të detyrueshme për klientët që do të frekuentojnë këto ambiente prej 1 tetorit. Epidemiologia Eugena Tomini bën me dije se vetëm për këto subjekte, ky element do t’i lihet në dorë klientit, ndërsa për personelin që servir është një detyrim ligjor.
“Mbajtja e maskës nuk është një element i domosdoshëm gjatë procesit të ngrënies, por pas mbarimit dhe konsumimit këto mjedise konsiderohen ambiente të mbyllura. Secili do të krijojë kushtet e higjienës personale, është përgjegjësi personale, por që bëhet edhe përgjegjësi kolektive”, tha Tomimi në një intervist për ‘Tv Klan’.
Për epidemiologen mënyra e vetme për të frenuar infektimet pas lehtësimit të këtyre masave është respektimi i rreptë i pikave të protokollit:
“Vendosja e tavolinave në bar restorante do të jetë 2 metra në të gjitha drejtimet. Përballja me kurriz dhe përballë do të jetë 2 metra. Që të gjithë mjediset e mbyllura duhet të kenë ajrosje të vazhdueshme, dritaret dhe dyert duhet të jenë të hapura. Duhet të bëhet vendosja e dezinfektantëve në hyrje të subjektit”.
Protokolli ligjor i detyron restorantet që të përdorim menu elektronike ose plastike në mënyrë që të pastrohet lehtë, si dhe vendosjen e xhamit ndarës në rastet kur pagesa bëhet në arkë. Akti Normativ lejon po ashtu përdorimin e pishinave në mjedise të mbyllura, por lë sërish të mbyllura lokalet e natës.