Drejtoresha e departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino ka folur për herë të parë pas infektimit të saj me COVID-19.
Ajo po kurohet ende në Spitalin Infektiv, nga ku edhe realizoi një bashkëbisedim online me gazetarët.
Bino tha se megjithëse ajo ndodhet ende e shtruar në spital gjendja e saj është përmirësuar dhe i bëri thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë as gripin stinor.
“Unë jam akoma në spital, po kurohem, jam në gjendje më të mirë! Por sot jam për të folur për vaksinimin ndaj gripit. Covidi nuk është grip, por COVID është edhe me serioz merr forma të rënda! Unë erdha në kohën e duhur në spital! Mund të them që edhe gripi është i rrezikshëm dhe për të duhet të vish në kohën e duhur për kurim. Gripi është sëmundje serioze, por që parandalohet nëpërmjet vaksinës. E rëndësishme është që vaksina nuk dëmton dhe nuk shkakton grip”, u shpreh Bino.
Sipas saj popullata duhet të vaksinohet për gripin stinor për të shmangur atë që ajo e quan “co-infeksionet”.
“Është i rëndësishëm për ato grupmosha që mund të bëjnë infeksione më të rënda ta kryejnë vaksinimin ndaj gripit. COVID s’ka ende vaksinë, por gripi po! Vaksinimi ndaj gripit kryhet në çdo kohë. Këtë vit synimi ynë është që procesi i vaksinimit të popullatës të përfundojë deri në fund të nëntorit”, tha Bino.
Doktoresha Bino foli edhe për mundësinë e vaksinimit të personave që janë të infektuar nga COVID-19. Sipas saj, personat që janë prekur nga koronavirusi mund të vaksinohen për mos u prekur edhe nga gripi, por kjo duhet të ndodhë 14 ditë pasi ata të jenë shëruar.