Nëse kemi mësuar ndonjë gjë vitet e fundit nga përfaqësueset e Shqipërisë në Eurovizion është se intervistat në anglisht me mediat që e mbulojnë festivalin europian, nuk janë aq të thjeshta sa duken. Pak nga emocioni, disi ndoshta edhe nga mos praktikimi i shpeshtë i gjuhëve të huaja dhe këngëtaret shqiptare, mund të vendosen disi në siklet. Kujtojmë që kjo i ka ndodhur më parë edhe Eneda Tarifës, me intervistën e saj që u bë edhe “meme” në rrjetet sociale, ndërsa Jonida Maliqi i mori me më sportivitet, duke mos menduar shumë për pasaksitë e vogla në gjuhë dhe zgjodhi që t’i shijojë intervistat në maksimum. Të njejtën gjë duket se do të bëjë edhe artistja që do të shkojë në Rotterdam këtë vit, Anxhela Peristeri, e cila siç e dini tashmë do përfaqësojë vendin tonë me këngën “Karma”. Në lidhjen e fundit me “WiwiBloggs”, që është një nga platformat më të ndjekura të Eurovizionit, ajo ka shpjeguar ndër të tjera edhe kuptimin e këngës dhe videoklipit, ndërsa ka ditur të dalë nga situata në momentin kur nuk ishte duke gjetur fjalën e duhur në anglisht.
Kështu, pasi ka shpjeguar idenë e video-s së këngës që u publikua pak ditë më parë, me “dy Anxhelat” që shfaqen gjatë gjithë kohës, gazetari që e merrte në intervistë tha: “Djali i shkretë që ishte në video, sa vuajti“, gjë që Peristeri ju përgjigj me:
“Në fakt kënga nuk është vetëm për një djalë, është për gjithçka. Doja ta trajtoja këtë subjekt në këngë pasi gjatë karantinës këtë vit pamë se kishim gjithçka që donim në një moment…” dhe pikërisht këtu, duke mos gjetur fjalën “me një goditje” në anglisht, Anxhela e shpjegoi idenë e saj me një gjest që përdoret në jetën e përditshme, duke i treguar intervistuesit se në fakt mjaftoi vetëm një goditje që nga të pasurit gjithçka, nuk kishim më asgjë. Gjë që gazetari duket se e kuptoi shumë mirë.