“Kompozitori i rinisë”, Agim Krajka, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme, la pas një trashëgimi të çmuar muzikore, e cila mund të mos kish ekzistuar kurrë për shkak të rrethanave të kohës.
Ndonëse i rritur mes instrumenteve muzikore të të atit, Agim Krajka mund të mos i ishte futur kurrë muzikës, nëse nuk do të kishte këmbëngulur Skënder Gina, shefi i Kulturës në Komitetin Ekzekutiv asokohe. Në vitet 1960, artisti dëshironte thjesht të siguronte pak të holla për familjen.
“Vitet 1960 ishin vitet kur muzika e lehtë mori një hov të madh. Tirana kishte ndikim edhe nga muzika ruse. Atë kohë unë i bija fizarmonikës në një lulishte në Tiranë. Flitet për kohën, apo më mirë vitin 1961, kur në Shqipëri kishte hyrë një farë liberalizmi […] Atë kohë kisha halle të tjera dhe kurrë nuk mund të mendoja për shkollë. Ishte koha kur unë kisha 6 motra në shtëpi dhe mendoja se si të çoja një lekë në shtëpi dhe të ndihmoja familjen. Doja që motrat e mia t’i ndihmoja. Nuk ja vura shumë veshin, por ai këmbënguli disa herë duke theksuar se isha djalë i talentuar dhe duhet të shkollohesha. I nxitur bëra një kërkesë kot pa menduar se çfarë do dilte. Kisha dëshirën vetëm që të vazhdoja punë dhe të çoja ndonjë lekë në shtëpi. Dhe ja një mbrëmje, teksa luaja sërish në bar me fizarmonikë, më vjen një shok dhe më thotë se më kishte dalë emri në listë për të konkurruar […] Për çudinë time fitova për të konkurruar në Konservator, kështu quhej, dhe a e dini sa isha? Plot 22 vjeç kur u futa në shkollë,” u shpreh ai në një intervistë të vitit 2020 për BotaSot.
Mënyra se si luante në firzamonikë i pëlqeu pa masë Vaçe Zelës, e cila i kërkoi që të kompozonte një këngë për të. E kështu u krijua “Lemza” e famshme.
“Debutimi im i parë në festival ka qenë me këngëtaren e madhe Vaçe Zela. Ajo më dëgjoi tek luaja në fizarmonikë dhe më shtyu të kompozoja një këngë për të. Kështu nisi udha ime. Pra, festivali i parë dhe kompozimi im i parë ka qenë kënga “Lemza” dhe është kënduar nga e madhja Vaçe Zela. E kupton ç’do të thotë që në daljen e parë si kompozitor të të marrë këngën Vaçe Zela?!”
Rinia e pëlqeu shumë këngën, por organet e shtetit e ndaluan për disa muaj, por parrullat nëpër mure, ku shkruhej “Lemza”, bënë që të transmetohej sërish.
“Rinia e pëlqeu shumë atë këngë dhe pse menduan se e kisha kopjuar nga këngët e huaja. Të kapte tmerri kur ndalonin një këngë. Të bënin të mendoje thellë. E ndaluan tre muaj dhe njerëzit nisën të shkruanin parulla nëpër mure me emrin “Lemza”. Ka qenë një protestë rinore shumë e këndshme. Më pas e lejuan të transmetohej dhe ishte një kënaqësi e madhe për mua. Kjo këngë më hapi shumë dritare. Filluan kërkesat, një shikim më ndryshe nga instancat e larta. Fillova të kompozoj sërish.”
Ishte pikërisht “Lemza” ajo që frymëzoi edhe një sërë kompozimesh të tjera.
“Nuk doja të rrija me aq. “Lemza” më dha shumë energji. Kështu lindi apo kompozova si këngë të dytë këngën e “Gjyshes”. Edhe kjo këngë u pëlqye, ndoshta jo sa e para, por pati jehonë. Tashmë kisha fituar një siguri në vetvete. Kompozimi i tretë ka qenë “Djaloshi dhe shiu” dhe me radhë në çdo vit.”
Festivali i 11-të i Këngës duket se u përpoq të thyente disa korniza të kohës dhe është një nga festivalet më të diskutuar. Në atë periudhë, Krajka kompozoi “Kafe Flora burra plot”, një këngë që e vendosi jo pak në rrezik.
“Mund të them se ky Festival ishte më i vështiri në jetën time si kompozitor, pasi krijuesi në atë kohë ishte gjithmonë në luftë me atë që do dhe me atë që mund të bëjë. Ishte një kënaqësi kur merrje çmim të parë, por do të prisje se çfarë do të thoshte një tjetër se e kishte të drejtën mbas një jave të qortonte, se mos të bëhej ndonjë plenum etj. Shumë shokë të mi ikën, u syrgjynosën nëpër burgje, u larguan nga muzika, i çuan në fshat me punë në bujqësi, disa i internuan. Rrëmujë. Fshesë. Ankth! Ç’po ndodh? Kush e kishte radhën?!”
Në intervistën për BotaSot, Mjeshtri i Madh u shpreh se përfaqësues të Punëve të Brendshme e kishin cilësuar këngën e tij të pamoralshme, por për fat të mirë, nuk morën masa kundër tij.
“Thashë mos do haja ndonjë internim. Pra, me një fjalë kjo ka qenë kënaqësia e kompozitorëve shqiptarë. Pra, ndjeje fillimisht kënaqësinë e emrit, këngës së re, lëvdatave të njerëzve, por të hidhurat i kishe gjithnjë nga pas. Asgjë nuk kishe të sigurt. Çdo gjë duhej të ishte brenda boshtit të partisë, ndryshe…”
Kompozimet e tij të panumërta nuk i ka zbehur as koha, as prurjet e gjeneratave të reja dhe as trendet bashkëkohore të muzikës.