Aktori i njohur shqiptar Xhemil Tagani nuk jeton më. Ai është ndarë nga jeta sot në moshën 76 vjeçare.
Xhemil Tagani u lind më 6 shkurt të vitit 1945. Ka luajtur me dhjetëra role, në teatër dhe filma artistikë. Një prej roleve më të dashura të tij është ai i priftit në filmin “Përrallë nga e kaluara”.
Tagani kreu shkollën e lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”, në 1967. Pas diplomimit filloi punë si aktor pranë Teatrit Popullor, më 1968. Ka interpretuar mbi 70 role në teatër, kryesisht nga dramaturgjia kombëtare, ku si më të arrirët përmenden: Agroni te “Shokët”, Alqi te “Studentja e vitit të fundit”, Tushka te “Një nuse për Stasin”, Uçi te “I pazvëndësueshmi”, Selimi te “Bashkë me Agimin”, Ina te “Arturo Ui”, Peç Mbloçi te “Lumi i vdekur”, Reizi te “Duke u gëdhirë viti 1945”, Samiu te “Kështu të dua”, Thomai te “Nën dritat e skenës”, te “Kryqi i bardhë”, etj.
Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë. Pas vitit 1992 u shkëput nga teatri, duke e mbyllur karrierën e tij të mbi tre dekadave në skenën e Teatrit Popullor.