Lazër Vlashi, një nga personazhet që bënë historinë e teatrit shqiptar, është shuar dje në moshën 96-vjeçare. Me një jetë përkushtuar teatrit dhe kinematografisë, artisti la pas një galeri të tërë rolesh. I lindur në qytetin e Durrësit më 15 shtator 1919, ai do të bëhej pjesë e trupës së Teatrit Popullor në moshën 30-vjeçare. Vlashi i përket asaj plejade artistësh që vunë gurët e themelit në historinë e teatrit tonë. Ai iu bashkua teatrit, kur ky i fundit kishte vetëm pak vite jetë, duke u bërë pjesë e një rrugëtimi që jo vetëm solli shfaqje që kanë lënë gjurmë në historinë e teatrit, por dhe bënë historinë e tij. Ishte viti 1948, kur djaloshi nga Durrësi hyri në skenën e Teatrit Popullor, ku një grup aktorësh dhe regjisorësh të rinj, kishin nisur t’i jepnin jetë teatrit shqiptar. Roli i tij i parë në skenën e këtij teatri është roli i Celuhovit në pjesën “Guvernatori i provincës” në 1949. Ka interpretuar mbi 80 role kryesore e episodike si: Simplin te “Gratë gazmore të Uindsorit”, Stasin te “Një nuse për Stasin”,
Rastakofski “Revizori”, Montani “Otello”, Murashi “Toka jonë”, Rusakov “Në kopshtin e jargavanëve”, Kazanoku “Orët e Kremlinit”, Ymeri “Shtatë Shalianët”, Simpl “Gratë gazmore të Uindsorit”, Shpend Hekakeqi “Besa e madhe”, etj. Por krahas teatrit Vlashi do të kujtohet dhe për interpretimet e tij në kinematografi. Me një portret interesant atij do t’i besohej roli i sekretarit që me filmin e parë shqiptar “Tana” më 1958-n nën regjinë e Kristaq Dhamos. Në vitin 1961 ai do të interpretojë rolin e kuestorit te filmi i njohur “Debatik” nën regjinë e Hysen Hakanit dhe Gëzim Erebarës, përkrah emrave të njohur të kinemasë si Sandër Prosi, Roland Trebicka, Sulejman Pitarka, Mario Ashiku, Violeta Manushi etj. Dy vjet më vonë, ai interpreton në filmin “Detyrë e posaçme” nën regjinë e Kristaq Dhamos. Një film ngjarjet e të cilit bazoheshin në vitet ’50 ku tregohet historia e Tomorrit, një të inflitruari në grupin e agjenturave të huaja dhe njëkohësisht lufton kundra tyre. Roli i priftit te filmi “Toka jonë” do ta bënte të paharrueshëm portretin e tij për publikun. Nën regjinë e Hysen Hakanit, filmi i realizuar në vitin 1964 tregon jetën në një fshat të Shqipërisë, pas reformës agrare. Një vit më vonë, ai interpreton në filmin “Vitet e para” nën regjinë e Kristaq Dhamos. “Njësiti gueril”, një tjetër prodhim i Hysen Hakanit, do ta bëjë personazhin e Vlashit, tepër të njohur për publikun. Ai interpreton rolin e zotit Demon, i cili ishte dhe përgjegjësi i njësitit. Filmi merr shkas nga Lufta e Dytë Botërore. Agjencia Italiane e Spiunazhit (SIM) nëpërmjet Ludovikut mundohet të futet në radhët e njësiteve guerile të qytetit. Ata synojnë të zbulojnë dhe asgjësojnë krerët dhe të gjithë rezistencën. Agjenti Ludovik zbulohet dhe kështu dështon i gjithë operacioni fashist “Gjarpri i zi”. Është sërish regjisori Hysen Hakani që i beson rolin e drejtuesit të prokurorisë, në filmin “Ndërgjegjja” më 1972-shin, film që duket se do të mbyllë dhe karrierën e tij në kinematografi. Përkrah aktorëve si Rikard Larja, Gjon Karma, Besa Imami, Lazër Filipi, personazhi i Vlashit, do të spikasë. Filmi tregon historinë e Kujtimit, i cili punon si mekanik në një ofiçinë. Nga pakujdesia, ai le pa rregulluar frenat e një kamioni dhe i shkakton një aksident Petros, shoferit të kamionit. Petro do të ndëshkohet për pakujdesi. Kujtimin fillon ta brejë ndërgjegjja, por e ka të vështirë të pranojë fajin. E dashura e tij i jep kurajë për të treguar të vërtetën…Katër vjet pas këtij roli Lazër Vlashi do të dalë në pension, por kjo nuk e pengoi të shkëputej nga skena, ku u shfaq deri në vitet ’90-të. Për më shumë se 25 vjet artisti ka preferuar të rrijë i tërhequr, duke parë atë çfarë po ndodhte me artin në vend. Homazhet për nder të tij do të mbahen sot në orën 12.00 në hollin e Teatrit Kombëtar dhe në orën 14.00, ai do të përcillet për në banesën e fundit.
Marre nga Gazeta Shqip