Bileta e prerë për në Francë nga përfaqësuesja Shqiptare ka bërë jehonë edhe në shtypin e huaj. “UEFA” uron për këtë kualifikim kuqezinjtë me një foto të ekipit kombëtar pas festës së golit ndaj Francës. “Të kualifikuar. Shihemi në Francë Federata Shqiptare e Futbollit. Urime Shqipëri”.
Në Itali jehona e kualifikimit të Shqipërisë shoqërohet edhe me komplimentat për trajnerin Gianni De Biasi. “Gazzetta Dello Sport” shkruan: “Shqipëria, historike hera e parë”. Në brendësi shkruhet “Skuadra e De Biasit kalon në Armeni”, por mbi të gjitha bie në sy pasaporta shqiptare e De Biasit me citimin e tij “Kur shprehesha se mund t’ia dilnim disa më qeshnin”.
Ndërkohë “TGCom”, nëpërmjet faqes “Sportmediaset” i bën më shumë jehonë punës së timonierit kuqezi. “De Biasi, trajneri normal që eklipson Lipin, Ancelotin….”. Edhe “ESPN” i bën jehonë këtij kualifikimi historik që erdhi në transfertën Armene. “BBC” komenton suksesin historik të Shqipërisë me një foto të kapitenit Lorik Cana. Edhe “Eurosport” nuk lë pa përmendur këtë sukses që vjen në drejtimin e De Biasit. “Shqipëria në Europian, hera e parë me De Biasin trajner”.
Jehonë i bën këtij suksesi edhe gazetari Gianluca di Marzio, që shkruan “Euro 2016, 3 gola për të hyrë në histori”. Ndërkohë përgjatë të gjithë ecurisë eliminatore në këtë europian, e përditshmja “Marca” i ka cilësuar si surprizë rezultatet tona, por tani shkruan me gërma të mëdha “Shqipëria luan në Europian për herë të parë në histori”. Jehonë kësaj arritjeje në Gjermani i bën “Kicker”, që vendos theksin tek rezutlati historik i vulosur në Armeni.
Marrë nga SuperSport