Komiteti teknik i ekspertëve nuk u mblodh këtë të mërkurë, për të diskutuar mbi mundësinë e vendosjes së masave të reja kufizuese për frenimin e pandemisë së koronavirusit.
Vendimi për masa shtesë, ose jo, është shtyrë për javën e ardhshme. Shkak për këtë besohet se është raportimi ditor i shifrave të rasteve të reja që, sipas ekspertëve, kanë qenë të qëndrueshme në këtë periudhë.
Pra, në Shqipëri, mbeten në fuqi vendimet e marra javë më parë, me ndalimin e lëvizjes pas orës 22:00, ndalimi i grumbullimeve me më shumë se 10 persona dhe mbajtja e maskës mbrojtëse edhe në ambientet e jashtme publike.
Gjatë kësaj periudhe, ka pasur presion nga biznesi për të mos afruar orën policore, për shkak se do të pengonte aktivitetin e tyre.
Ajo që mund të ndryshojë është afati i pushimeve dimërorë për arsimin parauniversitar. Deri tani, qëndron në fuqi udhëzimi për mbylljen më 24 dhjetor dhe rifillimin më 4 janar, por është diskutuar mundësia për afrimin e pushimeve, më 18 dhjetor, dhe shtyrjen e rifillimit të mësimit më 11 ose edhe 18 janar.
Të martën, Ministria e Shëndetësisë raportoi 12 viktima nga koronavirusi në Shqipëri, 809 raste të reja të konfirmuara dhe 551 të shëruar. Në 4 spitalet COVID, po trajtohen 426 pacientë, 28 në terapi intensive, nga të cilët 9 të intubuar.
Në total, Shqipëria regjistron 50 mijë raste me koronavirus, prej të cilave mbi 23 mijë aktive, dhe 1028 viktima.