Rritja e shifrave dhe përkeqësim i situatës së Covid-it në vendin tonë pritet të sjellë shtrëngim të masave kufizuese javën e ardhshme. Vala e shtuar e infektimeve ka bërë që ekspertët të diskutojnë për rikthimin e kufizimit të lëvizjes, por edhe për vaksinimin e detyrueshëm për disa kategori.
Komiteti pritet të marrë vendim në lidhje me atë çfarë deklaroi Kryeministri i vendit për vaksinim të detyruar për mjekët, mësuesit dhe policët duke qenë se janë në kontakt të drejtpërdrejtë me nxënësit, studentët dhe qytetarët.
Ditën e fillimit të shkollës nuk do të lejohen të hyjnë në auditorë pedagogë apo mësues të pavaksinuar.
Por nga ana tjetër, ekspertët vlerësojnë se kërkohet shtrëngim i mëtejshëm i masave, pasi mutacioni ‘Delta’, i cili ka dhe transmetueshmëri të lartë, pritet ta përkeqësojë edhe me shumë situatën për sa kohë janë të paktë ata që respektojnë masat ekzistuese në fuqi si përdorimi i maskave në ambiente të mbyllura, ruajtje të distancës.
Aktualisht, janë mbi 9 mijë persona me Covid, por kjo është shifra zyrtare vetëm për personat që janë testuar, pasi ka shumë të tjerë të cilët neglizhojnë simptomat dhe nuk paraqiten për testim, apo sikundër ka të tjerë të cilët janë prekur nga Covid e po e kalojnë sëmundjen pa simptoma, por infektojnë të tjerët.