Shteti hungarez, prej kësaj jave, është bërë aksioner në dy kompanitë shqiptare të sektorit të telekomunikacioneve, ALBtelecom dhe ONE. Kompania hungareze 4iG, i ka transferuar kuotat që zotëron në këto dy ndërmarrjet e sapoblera në operatorin hungarez të telekomunikacioneve Antenna Hungaria, në formën e kontributit për rritjen e kapitalit të kësaj kompanie.
4iG bën të ditur se ka kontribuar në kapitalin e Antenna Hungaria me 80.27% të aksioneve që zotëron në ALBtelecom dhe 99.8% në One Telecommunications. Kapitali i shtuar është llogaritur me një vlerë totale kontabël prej 132 miliardë forintash hungareze ose rreth 350 milionë eurosh. Si rezultat i transaksionit, 4iG e rrit më tej pjesëmarrjen në 76.78% të aksioneve në Antenna Hungaria, ndërsa shtetit hungarez i ngelen 23.22% të aksioneve në të.
Ky operacion e ka origjinën në gusht të vitit të kaluar, kur 4iG njoftoi zyrtarisht marrëveshjen për blerjen e shumicës së aksioneve në operatorin shtetëror Antenna Hungaria. Marrja e kontrollit të Antenna Hungaria u parashikua të bëhej nëpërmjet zmadhimit të kapitalit të shoqërisë, që do të nënshkruhej nga 4iG.
Rritja e kapitalit nuk u bë duke injektuar direkt para’, por duke i transferuar Antenna Hungaria aksionet që 4iG zotëronte në kompanitë e sektorit të telekomunikacioneve. Sipas marrëveshjes, 4iG tashmë ka kontribuar të gjithë portofolin e saj të telekomunikacionit në Antenna Hungaria.
Si rezultat i rritjes së kapitalit me dy faza, një vlerë totale prej 534 miliardë forintash hungareze (rreth 1.4 miliardë euro), Antenna Hungaria u bë pronare e kompanive të telekomunikacionit të blera në dy vitet e fundit nga 4iG, konkretisht DIGI Group, Invitech ICT, operatori celular malazez ONE Crna Gora, si edhe, së fundi, edhe dy operatorët shqiptarë ALBtelecom dhe ONE Telecommunications.
Ky transaksion ka krijuar grupin e dytë më të madh të telekomunikacionit në Hungari me një portofol të konsiderueshëm të shërbimeve fikse, internetit dhe televizionit, si dhe shërbime fikse dhe celulare në rajon dhe në Ballkanin Perëndimor. Synimi i palëve ishte krijimi i një grupi kompanish nga transaksioni që falë madhësisë, efikasitetit dhe infrastrukturës të mund të ofrojë shërbime më konkurruese në tregun vendas dhe rajonal të telekomunikacionit.
Sipas marrëveshjes së lidhur midis shtetit hungarez dhe 4iG në gusht 2021, 4iG ka mundësinë të rrisë më tej kapitalin e saj dhe të blejë deri në 80% të aksioneve në Antenna Hungaria, ndërsa shteti hungarez do të vazhdojë të mbajë në çdo rast të paktën 20% të kuotave.
Aksioneri kryesor dhe Drejtori i Përgjithshëm i 4iG, Gellért Jászai, tha se blerjet e kryera gjatë vitit të kaluar kanë përfunduar procesin e transformimit të 4iG, nga një kompani e sistemeve të IT në një grup ndërkombëtar të informacionit të komunikimit. Au madje nuk përjashtoi zgjerimin e mëtejshëm, nëpërmjet realizimit të blerjeve të reja.
“Në periudhën e ardhshme, ne do të kërkojmë të shfrytëzojmë sinergjitë dhe bashkëpunimet midis kompanive tona dhe do të vazhdojmë të eksplorojmë mundësitë e blerjes për të rritur pjesën e tregut të Grupit. Në vitin 2022 ne përpiqemi të hyjmë në segmentin B2C me shërbimet e telekomunikacionit nën një emër të vetëm dhe me një strategji të re, jo vetëm në Hungari, por edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Jászai.
4iG mbylli në fillim të këtij viti blerjet e dy prej operatorëve më të rëndësishëm të telekomunikacioneve në Shqipëri, ALBtelecom dhe ONE. Vlerat e transaksioneve nuk u bënë publike. Këto dy blerje do të sjellin një ndikim të rëndësishëm në treg, sepse do të krijojnë operatorin me numrin më të madh të abonentëve në rrjette fikse dhe celulare, por njëkohësisht do të ulin numrin e operatorëve celularë nga tre në dy.
Veç ndryshimit në strukturën e tregut, shumë ekspertë e shohin këtë transaksion si shtrirje të ndikimit hungarez në një sektor strategjik të ekonomisë. Pronari i 4iG, Gellért Jászai, njihet në Hungari si mik i hershëm dhe njeri i afërt me kryeministrin Victor Orban. Privatizimi i pjesshëm i Antenna Hungaria nga 4iG është një dëshmi e mëtejshme e këtyre lidhjeve. Nga ana tjetër, në qeverisjen e Orban, Hungaria i ka përkeqësuar ndjeshëm marrëdhëniet me Bashkimin Europian.
Shkak janë bërë rezervat e vendeve të tjera anëtare ndaj qeverisjes me tipare autokratike të Orban dhe afrimiteti i tij në rritje me Rusinë. Në një kontekst të tillë, ka ekspertë që mendojnë se “bekimi” që qeveria shqiptare i ka dhënë këtyre operacioneve mund të interpretohet edhe si një sinjal karshillëku ndaj Brukselit dhe afrimi me një udhëheqës që nuk gëzon reputacion shumë të mirë brenda BE-së.