Shtëpia e Bardhë ka sulmuar së fundmi median Zëri i Amerikës lidhur me situatën që po kalon i gjithë globi për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Shtëpia e Bardhë pretendon se VOA, e cila financohet nga fondet publike, po promovon propagandën e qeverisë kineze në raportimin e saj për shpërthimin e koronavirusit.
“Mes një pandemie, Zëri i Amerikës harxhon paratë tuaja për të promovuar propagandë të huaj”, kështu shkruante Shtëpia e Bardhë në një postim në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale.
“Gazetarët duhet të raportojnë faktet, por Zëri i Amerikës ka përkrahur propagandën e Pekinit. Këtë javë, VOA e quajti mbylljen e Wuhan një “model” të suksesshëm të kopjuar nga shumica e botës dhe më pas publikoi videon nga shfaqja festive e qeverisë komuniste që shënon fundin e supozuar të karantinës”, vijonte më tej deklarata.
Kjo kritikë ka zënë në befasi zyrtarët e kësaj mediaje, e cila është themeluar që në vitin 1942. Drejtoresha e “Zërit të Amerikës”, Amanda Bennett, doli menjëherë në mbrojtje të medias duke deklaruar se VOA ka raportuar në mënyrë të pavarur.
Bennet tha se ata kanë bërë lajme edhe për përpjekjet e Kinës për të fshehur përhapjen e Covid-19 dhe mohoi të ketë bërë favorizime.
“Asnjëherë nuk kemi promovuar propagandë për askënd. Ne mbulojmë histori nga të gjitha anët e ndryshme. Kjo është pjesë e arsyes për të cilën ne kemi kaq besim nga njerëzit në mbarë botën”, nënvizoi ajo./ CNA.al